English

Meta-Gjukanoviç: Strategji e përbashkët për integrimin reciprok të dy vendeve

Podgoricë, 6 Nëntor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta gjendet për një vizitë zyrtare dyditore në Malin e Zi, ku është takuar sot në Podgoricë me Kryeministrin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviç.

Gjatë këtij takimi, Meta dhe Gjukanoviç vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe diskutuan mbi zhvillimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturës dhe energjetikës.

Zv. Kryeministri Meta dhe Kryeministri Gjukanoviç ranë dakort për hartimin e një strategjie të përbashkët për integrimin reciprok të të dy vendeve në strukturat Euro-Atlantike.

Z. Meta, pasi shprehu mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve shton garancinë e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Meta dhe Gjukanoviç ranë gjithashtu dakord për ngritjen e Komitetit Ekonomik për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe shprehën vullnetin e të dy palëve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e liqenit të Shkodrës.

a.b/f.sh/NOA

KOMENTE