Elbasan, 6 Nëntor NOA - Tubimi protestë i radhës i Partisë Socialiste po zhvillohet momentalisht në Elbasan, ku sikundër raporton korrespondenti i agjencisë NOA, në pallatin e sportit janë mbledhur një numër anëtarësh dhe simpatizantësh.
Në miting marrin pjesë kryetari i PS, Spartak Ngjela, kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi si dhe një nga të ikurit e LSI pas hyrjes së saj në qeverinë e Berishës, Pëllumb Xhufi.
Tubimin e çeli deputetja e PS në Elbasan, Valentina Leskaj. Ajo vuri në dukje se qëllimi i tubimit të pestë të PS që i paraprin atij të 20 nëntorit në Tiranë, ka një synim, atë të mbrojtjes së votës.
Nën ovacionet e të pranishmëve "Ku është vota ime", Leskaj u ndal në rrahjen e gazetarit Mero Baze duke e konsideruar si një vepër të qeverisë.
Më tej Leskaj akuzoi se "takat që ju paguani, u përdorën nga qeveria më 28 qershor" dhe shtoi se "ato po vazhdojnë të përdoren në televizionin publik shqiptar" që tha se gjithashtu i shërben qeverisë aktuale.
Duke përfunduar fjalën, Leskaj apeloi që të gjithë qytetarët e Elbasanit, "të zbarkojnë" në Tiranë për mitingun final të 20 nëntorit.
a.k/f.sh/NOA