Shkup, 6 nëntor, NOA - Artistë dhe miq të mirënjohur të aktorit të shquar shqiptar Bekim Fehmiu kanë dënuar botimin e fundit të "Enciklopedisë filmike", e financuar nga Ministria e Kulturës Maqedonase, në të cilën kolosi i filmit Fehmiu quhet si aktor serb, ndërsa injorohen ndër të tjera edhe vlerat kinematografike shqiptare.
Një nga miqtë më të ngushtë të aktorit Fehmiu, publicisti dhe gazetari Fahri Musliu, ka theksuar se ky është një veprim skandaloz i përkrahur edhe nga institucionet shtetërore të Maqedonisë.
"Nuk e di si shkruan në atë enciklopedi dhe çfarë po bëjnë, sepe ato tani nuk kanë as bazë shkencore, vetëm sa po u shërbejnë politikave ditore apo interesave të ndryshme të idnvidivëve apo grupeve, siç ishte edhe enciklopedia maqedonase", ka theksuar gazetari Musliu, i cili jeton në Beograd dhe që ka kontakte të rregullta me aktorin Fehmiu.
Sipas tij, Bekim Fehmiu mund të quhet aktor jugosllav me prejardhje shqiptare nga Kosova, sepse edhe ka luajtur në filmat jugosllavë e botërorë dhe jo aktor serb, edhe pse jeton në Beograd.
"Bekimi është aktor i botës sepse realizimet më të mëdha filmike i ka bërë me kompanitë botërore. Dhe Bekimi kurrë nuk është deklaruar vetë si aktor serb, madje ka refuzuar kategorikisht që në një film amerikan të paraqitet me emër tjetër, e jo si Bekim Fehmiu", ka theksuar miku i ngushtë i aktorit. Edhe aktori i njohur i filmave amerikan, Luan Bexheti ka deklaruar se maqedonasit po tregohen se sa injorantë janë kur publikojnë vepra të tilla, duke mos kryer obligimet ashtu siç janë, në mënyrë profesionale. "
Sa për këtë enciklopedi, pse të mos përfshihen edhe emrat shqiptarë të kinematografisë që janë nga Maqedonia, por edhe më gjërë, sepse vepra financohet nga një institucion që është i të gjithve. Ndërsa sa i përket shtrembërimit të faktit për aktorin Bekim Fehmiu, ajo është një gënjeshtër. Bekim Fehmiun e njoh mirë, kam luajtur një dramë me djalin e tij Uliksin dhe ju tregoj se ai është një patriot shumë i madh shqiptar", ka theksuar aktori i metropoleve amerikanë, Luan Bexheti, i cili jeton në Nju Jork.
Ndërsa aktori dhe regjisori Avni Dalipi ka nënvizuar se kjo "Enciklopedi Filmike" që Bekim Fehmiun e nxjerrë si serb vjen si rezultat i një nacionalizmi të shfrenuar pas "Enciklopedisë Maqedonase" të ASHAM.
"Në rastin konkret po të thuhet që Bekim Fehmiu është aktor botëror, unë do isha dakord, por të thuhet si serb kjo është totalisht një skandal i radhës dhe një rrenë e kulluar dhe e servuar, që janë të dirigjuara nga personat të cilat e kanë përkrahur këtë projekt", theksoi aktori Dalipi.
Sipas tij, fakti që injorohet kinematografia shqiptare është tendencioz, sepse historia e filmit në ish-Jugosllavi, ka në qendër të vëmendjes edhe kinematografinë e zhvilluar në Kosovë, ku shumë aktorë ishin pjesë e projekteve filmike ish-jugosllave, apo të tjerët në filmat kosovar. "Enciklopedinë filmike" është botuar me financimin e Ministrisë së Kulturës, ndërsa autor i saj është Georgi Vasilevski.
NOA-INA