Tiranë, 6 nëntor NOA - Ministria e Shëndetësisë ka shprehur sot shqetësimin e saj lidhur më gripin e derrave duke deklaruar se pas një muaji pushim, virusi është shfaqur sërish me 9 raste të identifikuara.
Situata u diktua sot gjatë një mbledhje të Komitetit të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të analizuar rikthimin e virusit A/H1N1 dhe masat e mara dhe orientimin e masave në vazhdim.
Mësohet se vetëm gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja të të prekurve nga gripi i derrit.
Të gjitha rastet kanë pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar në sistemin shëndetësor, kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
"Vënia në funksionim e teknologjisë së re testuese dhe fillimi nga puna në laboratorin e ri në ditët që vijojnë forcojnë aftësitë e sistemit shëndetësor lidhur me shpejtësinë e vendosjes së diagnozës dhe mbështetjen e klinikistëve në menaxhimin e rasteve.
Para dy ditësh ka mbërritur në ISHP një sasi e re preparati antiviral Tamiflu që mjafton për të trajtuar rreth 10 000 raste ndërsa të gjithë spitalet rajonale janë të furnizuar me një sasi baze dhe mund të marrin sasi të reja nga Instituti i Shëndetit Publik" bëri të ditur sot ministria e Shëndetësisë.
Gjatë mbledhjes u tha se në farmacitë e vendit ka një sasi të mjaftueshme me vaksinë kundër gripit sezonal dhe ministria e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimet e OBSH inkurajon me forcë qytetarët ta blejnë dhe ta përdorin këtë vaksinë e cila aplikohet falas pranë Qendrave Shëndetësore për tu mbrojtur nga gripi sezonal.
Qytetarët mund të këshillohen gjithashtu falas pranë mjekut të tyre të familjes lidhur me grupet më të rrezikuara nga gripi sezonal.
Gjithashtu, ministria e Shëndetësisë është duke përfunduar procedurat e prokurimit të vaksinës kundër gripit të ri pandemik të quajtur ndryshe AH1N1.
k.k/NOA