Teksas, 6 nëntor, NOA - Një incident i tmerrshëm ka tronditur një bazë ushtarake amerikane në Teksas, ku një oficer i saj ka qëlluar me armë, duke vrarë 12 ushtarë dhe plagosur rreth 30 të tjerë.
Mediat e huaja bëjnë me dijeni se personi i dyshuar si autori i vrasjeve është majori Nidal Malik Hasan, i cili momentalisht gjendet edhe vetë i plagosur.
Thuhet se incidenti ndoshta është shkaktuar nga një gjendje e rëndë depresive e oficerit psikiatër, i gjendur nën një peshë të rëndë indinjimi nga përfshirja e ushtrisë amerikanë në Irak e Afganistan.
Lidhur me këtë incident, presidenti amerikan, Barack Obama ka pohuar se ky ishte një "shpërthim i tmerrshëm dhune".
"Është mjaft e vështirë kur humbasim ushtarë e ushtare trima jashtë, por është e tmerrshme që ata të sulmohen në një kazermë ushtarake në tokën amerikane", mësohet të jetë shprehur ai.
Major Nidal Malik Hasan ishte punonjës i sektorit të shëndetit mendor të ushtrisë i dislokuar në Fort Hood dhe sulmi ndodhi në kohën kur ushtarët po përgatiteshin të niseshin për në Irak dhe Afganistan, por motivet e vrasjeve janë ende të paqarta.
n.e/NOA
Â