English

Toçi: Anëtarët e rinj të KKRT-së janë njerëz të pushtetit

Tiranë, 6 nëntor NOA - Deputeti i partisë Socialiste, Fatmir Toçi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp se anëtarët e rinj të KKRT-së dëshmojnë se pushteti po cenon lirinë e medias.

"Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar dy anëtarë të rinj të Këshillit të Kontrollit të Radios dhe Televizionit, për të zëvendësuar në këtë detyrë Mesila Dodën, tashme deputete të Partisë Demokratike dhe Artan Zenelin.

Dy anëtarët e rinj, Endira Bushati dhe Suela Musta, të votuar mbrëmë nga Kuvendi i Shqipërisë, janë përkatësisht këshilltarja juridike e Kryeministrit Berisha dhe përgjegjësja e zyrës së shtypit e zj. Jozefina Topalli. Ajo që mungonte për ta bërë si zakonisht një tender ku paracaktohet fituesi ishte kandidatura formale e aleatëve të rinj të Berishës, që këtë radhë nuk është parë e arsyeshme të përzihen në punët delikate e me rëndësi të veçantë të pushtetit" tha Toçi.

Sipas deputetit socialist, ky është një vendim absurd, është dëshmi e qartë jo vetëm e arrogancës së pakorrigjueshme të kësaj mazhorance, por edhe e papërgjegjshmërisë së saj të plotë për situatën politike në të cilën ndodhet vendi.

"Këmbëngulja e kësaj mazhorance për ta konceptuar KKRT thjesht si një instrument që i shërben verbërisht interesave të pushtetit të familjes apo klaneve të caktuara politike e mediatike pranë Sali Berishës, është dëshmi e mungesës së plotë të vullnetit për të reflektuar mbi deformimin që ka pësuar ky institucion, të kthyer në një burim shqetësimi jo vetëm për Partinë Socialiste, por dhe për mbare opinionin publik shqiptar dhe faktorin e ndërkombëtar" tha më tej Toçi.

k.k/NOA

Â

KOMENTE