Një moral pa fabul
Nga Lavdërim Lita*
Një sentiment fosil në një shkëmb artificial. Një moral pa fabul. Flitet, diskutohet, analizohet. Por ndjesia e përgjithshme që mbizotëron mbetet po ajo - të paktën e imja - e panevojshme. Si gjithmonë edhe kësaj here një individ ordiner bëhet më shumë lajm ose/dhe opinion sesa një kauzë e deklaruar, një mision i pamundur, një reformë e panisur, një vendim i marrë. Kjo nuk është risi mjafton të shikosh sesi, ne, flasim për historinë kombëtare, e cila në të vërtetë është e tëra një biografi 100 faqesh individësh (themi apo s'themi: koha e Ismail Qemalit, Zogut, Nolit, Enverit, së fundmi koha e Berishës dhe e Nanos) dhe njihemi për të mirë a për të keq prej figurës morale të tyre, por jo për çështjet e mëdha ose meskine që kanë përfaqësuar në politikë.
Iluzioni mediatik mund ta shikosh krejt lehtë tek aktualiteti i disa mediave në këto tre-katër ditë, ku fokusimi nuk janë problemet e gjera sociale, politike dhe kulturore, por një sherr kapriçioz i tre-katër njerëzve në një night-club bëri aq bujë saqë u mbuluan edhe heshtja e opozitës.
Foshnjat e opozitës nuk qajnë më, u mbuluan nga klithma e një adoleshenti të vonuar. Mirë fort. Ky rast banal, ordiner, kapriçioz u dha shkas njerëzve të bëhen publikisht si tifozë stadiumi: të ndarë në pro-kundra, ishin pak ata që abstenuan në mënyrë arbitrare për ta konsideruar si atentat ndaj fjalës së lirë, pikërisht për njeriun që e ka bërë "fjalën e lirë", një fjalë të ligë.
Paradokset shqiptare s'kanë fund. Monopolizimi mediatik i një sherri të përgatitur kapricioz, ç'ka në themel nuk duhet t'i interesojë ndokujt, por si duket u intereson të gjithëve, pra është një fenomen tipik shqiptar. Më një shpullë a grusht, kinse u ndaluaka fjala e lirë, edhe pse të nesërmen tik-taku i bombave të përbaltjes vazhdon si për herë, edhe më rëndë po qe e mundur.
Denigrimi i kryeministrit është duke u bërë sport kombëtar artificialisht nga mediat. Delegjitimimi narcizist i institucioneve nuk nis nga politikanët, por së pari nga mediat, e që pasohet nga adhuruesit fanatikë të medieve, që janë po politikanët. Mirëpo në të gjithë këtë tollovi asnjë nuk flet seriozisht për pagat, drejtësinë, arsimin, turizmin, gjëra të cilat i shërbejnë më shumë mirëqenies së çdo bashkësie shoqërore se gjuajtja me sholla këpucësh kangjellave të kryeministrisë.
Ndërsa opozita e vendit merret përditë me kutitë, ata që mbesin bëhen si shtojcë aktive dhe degdisin këpucët përpara kryeministrisë. Budallai nuk do brirë që të duket, mjafton këpuca.
Jemi duke instaluar një morbozitet në kërkim të gjakut informativ, në kërkim të skandalit të radhës, me profesionistët e stalking-azhit, për të kënaqur auto-destruktivitetin e Sheikut të bashkisë. Kulti i lirë së fjalës po ngërthehet nga njerëz ordinerë, që s'kanë gjë tjetër të bëjnë se të shkojnë nëpër lokale nate, të provokojnë hapur dhe të bëjnë sherre hepatike që më pas t'i justifikojnë me cënim të lirisë së gazetarit. Liria e gazetarit po bëhet një totem i pabesueshëm nga figurat që e mbrojnë atë. Si paradoks, ky është një paradoks që i kalon të gjithëve të tjerëve.
Pyetjes sesa i intereson shoqërisë shqiptare kjo gjullurdi e kamufluar si "cënim i lirisë së fjalës" i dihet përgjigja: aspak. Ajo që i intereson shoqërisë shqiptare është kryesisht: modernizimi i shtetit, forcimi i shtetit ligjit, mirëqenia ekonomike dhe liria e iniciativës së lirë.
Kuptohet vetiu se prej kohësh studiues të jetës shoqërore u kanë kushtuar vëmendje problemeve të shoqërisë duke u munduar të shpjegojnë natyrën dhe shkaqet e tyre si edhe të gjejnë rrugë e mënyra për zgjidhjen e tyre. Në fakt, ato që duhet të merren me këto probleme, gazetarë, politikanë, biznesmenë, por merren me kapriciot e një sherri vjeshte.
Kurse shumë probleme sociale konsiderohen të tilla për shoqërinë në përgjithësi, fjala vjen, papunësia, varfëria ekonomike, diskriminimi racial, etnik apo fetar, pabarazia gjinore, krimi, etj., nuk mediatizohet seriozisht por mjaftojnë tek-tuk në një pickim të një trupi të narkotizuar.Â
Gazetarët zbathur në etikë profesionale janë duke bërë sot e gjithë ditën një stalking, pra një përndjekje të gjahut për t'i rrjepur lëkurë, kurse interesat e qytetarëve zhduken nga opinioni publik, i cili kur nuk ka alternativa ahere fokusohet në sherre banale të dy njerëzve banalë.
Marrë nga "Bota Sot"