Vetë Mero Baze ka shkruar artikuj për mua, për ambasadën, për politikën amerikane, të cilët kanë pasur një qëndrim të ashpër dhe na kanë vënë ne në provë. Është e vështirë të lexosh ato lloj artikujsh për veten tënde dhe në shumë raste nuk jam pajtuar tërësisht me atë që gazetarët kanë thënë. Por ajo që ju them është kjo: sado që nuk jam në një mendje me ato këndvështrime, unë, si një amerikan dhe besimtar i demokracisë, do të luftoj deri në fund, do të luftoj për të drejtën e atyre njerëzve për të thënë ato që ata duan të thonë.
Nga Xhon L. Uidhers/Foto: LSA
Ambasador i SHBA në Shqipëri*
Kam dashur prej kohësh që t'u drejtohem anëtarëve të Unionit të Gazetarëve dhe për mua është një privilegj dhe nder që të flas sot së bashku me Z. Çipa.
Fatkeqësisht, takimi ynë i parë ndodh nën hijen e një ngjarjeje tragjike të papranueshme. Një nga kolegët tanë, një nga anëtarët e bashkësisë së gazetarëve shqiptarë dhe një nga miqtë e mi, Mero Baze, u sulmua në mënyrë të paprovokuar dhe të pafalshme disa net më parë.
Autorët e pretenduar të këtij sulmi janë njerëz të njohur për të gjithë ne, për të gjithë ju, njerëz, në dukje, të parë si me nivel e gjykim të shëndoshë, derisa ky incident provoi të kundërtën.
Ata ishin persona që kanë qenë objekt i artikujve të Z. Baze, në të cilët ai ka qenë mjaft kritik mbi gjërat që ata mendohet se kanë bërë apo jo.
Por, sado të acaruar të kenë qenë ata, sado të provokuar që ta kenë ndjerë veten, në demokraci nuk ka asnjë justifikim, në kurrfarë rrethanash apo kushtesh, përdorimi i dhunës për të mos lejuar shprehjen e lirë të fjalës së shtypit.
Nëse më lejohet një koment personal: Mero, unë shpresoj që të shërohesh sa më shpejt dhe t'i kthehesh punës sate.
Por, ky incident ka implikime dhe pasoja më të mëdha sesa thjesht akti i këtij sulmi. Ngjarje të tmerrshme do të ndodhin në çdo kohë.
Është fatkeqësi që këto ngjarje nuk mund të parandalohen përpara se të ndodhin, por prova për një shoqëri, prova për një qeverisje, prova për një komb është se si përgjigjet kur ndodhin ngjarje të tilla të papranueshme.
I tillë është edhe ky moment sot për Shqipërinë. Shqipëria është një vend në prag të integrimit në disa nga institucionet më të rëndësishme, më të mirënjohura ndërkombëtare që ne kemi.
Është tashmë anëtare e NATO-s dhe po përpiqet të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Shqipërisë i duhet të provojë se është e denjë për anëtarësinë në këto aleanca të mëdha.
Dhe unë ju them sot se një provë e gatishmërisë suaj do të jetë se si institucionet e këtij vendi do t'i përgjigjen sulmit të kolegut tonë Mero Baze.
Unë e përshëndes deklaratën e menjëhershme të Kryeministrit Berisha pas incidentit, në të cilën ai dënoi plotësisht dhe ritheksoi fort dhe në mënyrën më të qartë përkushtimin e Shqipërisë ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes. Unë e përshëndes apelin e tij për hetim të plotë dhe të menjëhershëm të fakteve dhe që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të kryejë procesin pa ndërhyrje. Unë përshëndes faktin që deklarata ishte e menjëhershme, e qartë dhe e vendosur.
Në Shqipëri ka pasur incidente të tilla edhe më parë. Ju e kujtoni që jo shumë kohë më parë, një koleg gazetar u sulmua në këtë vend, pak metra më tutje, nga deputeti Tom Doshi.
Pavarësisht dënimit të gjithanshëm që iu bë në atë kohë, asgjë nuk ndodhi. Unë ju them sot se është e papranueshme që të mos ndodhë asgjë edhe këtë herë.
Kam parë dhe kam lexuar me interes reagimet e qeveritarëve, gazetarëve, manjatëve të medias, të cilët i janë përgjigjur asaj që ndodhi disa net më parë.
Mund të them se e kam të vështirë t'u besoj disa prej atyre reagimeve, editoriale dhe komente që duken se nënkuptojnë sikur Mero Baze ia shkaktoi vetes atë që ndodhi ngaqë artikujt e tij ishin provokativë, të ashpër dhe paragjykues.
U trishtova kur gjatë disa bisedave private me qeveritarë të lartë pashë të njëjtin qëndrim.
Më veçanërisht u shokova kur dëgjova mbrëmë në programin televiziv "Opinion" z. Frangaj, i cili është i lidhur ngushtë me median dhe nga i cili mund të presësh shumë, që dukej se justifikonte faktin që në raste mendimesh të kundërta, dhuna na qenka e drejtë.
Dua t'i them që nuk pajtohem me këtë mendim por dua t'i them atij gjithashtu që, gjithsesi, unë i njoh të drejtën e të shprehurit të mendimeve me të cilat unë nuk bie dakord, në një kohë kur ai nuk duket se dëshiron t'u njohë të tjerëve të njëjtën të drejtë.
Unë jam në Shqipëri prej pak më shumë se dy vjetësh tashmë dhe gjatë qëndrimit tim, ambasada ime dhe unë gjithashtu, kemi qenë objekt i artikujve dhe editorialeve, ndonjëherë pozitivë e ndonjëherë kritikues.
Disa muaj më parë, një gazetar i njohur shkroi një artikull mbi ambasadorët në Shqipëri, ku ai krahasonte veprimet tona me ato të ambasadorëve të Bashkimit Sovjetik dhe Kinës gjatë periudhës së komunizmit.
Vetë Mero Baze ka shkruar artikuj për mua, për ambasadën, për politikën amerikane, të cilët kanë pasur një qëndrim të ashpër dhe na kanë vënë ne në provë.
Është e vështirë të lexosh ato lloj artikujsh për veten tënde dhe në shumë raste nuk jam pajtuar tërësisht me atë që gazetarët kanë thënë.
Por ajo që ju them është kjo: sado që nuk jam në një mendje me ato këndvështrime, unë, si një amerikan dhe besimtar i demokracisë, do të luftoj deri në fund, do të luftoj për të drejtën e atyre njerëzve për të thënë ato që ata duan të thonë.
Pas pak do të kem nderin që të takohem me të afërm të Musine Kokalarit. Ajo ishte një grua që dha jetën për bindjen e saj në lirinë e shprehjes së mendimeve dhe pikëpamjeve të saj.
Dhe ajo e bëri këtë në një kohë shumë më tepër shtypëse sesa sot. Prandaj unë ju them sot, juve dhe bashkësisë së gazetarëve, që të përqafoni shpirtin e saj, të ngriheni me të si në krahët e shqiponjës në mbrojtje të zbatimit të ligjit dhe të drejtës tuaj të shenjtë për të thënë publikisht, hapur dhe pa frikë atë që ju besoni.
Mos u dorëzoni përpara kanosjes, mos u dorëzoni përpara kërcënimeve, mos u dorëzoni përpara dhunës. Ajo që ju keni në duar nuk është thjesht një profesion, nuk është thjesht një mënyrë për të fituar jetesën.
Ju mbani në duar një nga parimet më të bekuara të demokracisë. Luftoni për të sepse ia vlen. Ia keni borxh këtë profesionit tuaj, ia keni borxh këtë kombit tuaj dhe ia keni borxh këtë vetes tuaj.
(*) Nga fjala e mbajtur në Konferencën "Midis Lirisë së Dhunuar dhe Informalitetit"