English

Denoncoj çensurën e Aleksandër Frangajt ndaj Erion Veliaj

"Siç u pohua nga vetë dy protagonistët e ngjarjes, në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në TV Klan, para një jave është çensuruar nga vetë pronari i TV KLAN, Emisioni BLU (një emision ky shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe lirinë e fjalës), intervista e gjatë dhe e gjerë e Erion Veliajt për jetën e tij"

Nga Altin Goxhaj* / Foto: LSA

Ditën e Enjte mësuam një ngjarje shumë të rëndë për lirinë e medias në Shqipëri. Siç u pohua nga vetë dy protagonistët e ngjarjes, në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në TV Klan,

para një jave është çensuruar nga vetë pronari i TV KLAN, Emisioni BLU (një emision ky shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe lirinë e fjalës), intervista e gjatë dhe e gjerë e Erion Veliajt për jetën e tij seksuale dhe heroizmin e tij që nga fëmijëria e vështirë duke shitur fiq dhe caraca, e deri në aventurat e tij action në Ruanda dhe Irak.

Siç u pohua vetë nga pronari i Televizionit Klan Aleksandër Frangaj, kjo është bërë me urdhër të tij dhe vetë Erion Veliaj deklaroi hapur dhe pa frikë, ashtu trimërisht siç ai di, se kjo është shkelje e lirisë së fjalës dhe e të drejtave të njeriut.

Po ashtu Veliaj deklaroi se Klan Tv ka transmetuar mbi 20 herë spotin anti Veliaj të Lëvizjes ZGJOHU dhe kjo është një shkelje e lirisë së shprehjes së Veliajt pasi transmetimi i mbi 20 mijë herë i dhjetëra spoteve të Veliajt kundër Nanos, Berishës, dhe pro politikës së re që janë transmetuar nga viti 2003 deri në 2009, dhe mbi 1 mijë orë transmetimi të Veliajt në televizionet shqiptare nuk kanë asnjë vlerë pasi spoti i Lëvizjes ZGJOHU pavarësisht se është transmetuar vetëm 20 herë, ishte në prag zgjedhjesh dhe e eklipsoi 6 vjet spotet ekskluzive të MJAFT dhe G99.

Lëvizja ZGJOHU e konsideron çensurën ndaj përfaqësuesit të vetëm të rinisë shqiptare, të njeriut të madh Erion Veliajt, nëpërmjet bllokimit të transmetimit të emisionit BLU si një fatkeqësi për gjithë rininë shqiptare e cila nuk do të dëgjonte për të 100 herë historinë e jashtëzakonshme të jetimit që u bë lider, të njeriut që braktisi rrogat e larta të UN (megjithëse s'ka asnjë dokument që të vërtetojë se Veliaj ka pasur ndonjë ofertë pune në 2002 apo 2003 nga ky institucion ndërkombëtar që ka shumë kritere shkollimi për të punësuar dikë fill time) dhe erdhi nga përtej oqeanit si Mesia që të shpëtojë Shqipërinë duke thithur mbi 5.4 milionë euro të komunitetit ndërkombëtar të destinuara për rininë shqiptare.

Veliaj në emisionin e Bledi Strakoshës do të na tregonte për të 100 herë se si ai pavarësisht se humbi me 0.89% (duke mos kapur të paktën as 0.99% të votave) e rëndësishme ishte që mori pjesë në zgjedhje, dhe se ka humbur vetëm betejën por jo luftën ashtu si Obama.

(Është e vërtetë që Veliaj në bashkëpunim me disa tutorë të tij prej vitesh ka paguar para për bllokimin e disa zërave të tjerë të shoqërisë civile por kjo ka qenë e nevojshme sepse jo çdo kush ka të drejtë të dalë në medias pasi jo çdo kush ka aq vlera sa ai.)

Lëvizja ZGJOHU i bën thirrje Pronarit të TV Klan që në respekt të standardeve të të drejtave të njeriut, të lirisë së fjalës, dhe të vetë proçesit të integrimit europian, të nxjerrë nga errësira, intervistën e jashtëzakonshme të historive të dashurisë së Erion Veliajt, sepse në rast të vazhdimit të kësaj errësire mediatike, Lëvizja ZGJOHU në bashkëpunim me 10 anëtarët-drejtorë të MJAFT, dhe 20 ish-kandidatët e mbetur të G99, do të protestojë përballë Televizionit KLAN me maska shumëngjyrëshe që simbolizojnë flamurin e erosit të çensuruar në Blu.

Ndërkohë që ZGJOHU ngren shqetësimin se përse shumë politikanë dhe analistë shqiptarë nga i gjithë spektri politik shqiptar siç janë Aleksandër Frangaj, Arjan Prodani, Artur Zheji, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Ed Paloka, Frrok Çupi, etj etj fyejnë vazhdimisht gjithmonë vetëm një njeri dhe përkatësisht Erion Veliajn, në debate TV apo në gazeta me fjalë të rënda si "legen", "plehër", "lejfen", "këlysh", "hipookrit", "mashtrues", "zagar", "papagall", "ti do rrahur 3 herë në ditë", etj etj.

(*) Dërguar nga autori, drejtor i Lëvizjes "Zgjohu"

KOMENTE