English

Edi Ramën e kanë marrë peng

Egoizmi politik i prodhuar në laboratorët e bllokmenëve

Nga Enver Bytyçi*

Edi Ramën e kanë marrë peng. Ai ka qenë, është dhe mbetet peng i vetvetes, sepse Edi Rama është egoist i pariparueshëm.

Vetëm një njeri që nuk ka princip tjetër përveç egoizmit të shfrenuar shitet si "luftëtar kundër korrupsionit" e ndërkohë mban rreth vetes 23 milionerë ndërtues, me të cilët i ka zënë frymën Tiranës.

Vetëm një si ai mund të besojë në shpifjet që vetë i shpik. Nëse një psikoanalist e vëren Edi Ramën në sjelljet dhe marëdhëniet e tij me shoqërinë, me kundërshtarët politikë, me aleatët, me bashëpunëtorët, me bashkëpartiakët, me bashkëbashkiakët, por edhe me zgjedhësit, do të zbulojë faktin se egoizmi është shkaku dhe pasoja e çdo sjelljeje të tij politike e sociale në shoqërinë shqiptare. Për pasojë ai nuk mund t'i shohë të gjitha ngjyrat e realitetit shqiptar. Ajo që ai mendon dhe bën, edhe kur ndan paratë me milionerët ndërtues, i duket e zakonshme, e moralshme, e ligjshme, të gjitha aspektet e tjera të jetës shqiptare i duken të pamoralshme. Në funksion të kësaj psikologjie ai i ka ndërtuar të gjitha skemat e "rezistencës", ka shpikur në modelin e viteve '90 skemën "antiberishë", ka sofistikuar demagogjinë, ka përqëndruar në duart e veta median e majtë dhe për pasojë ka formuluar obesionin, sipas të cilit "Vetëm ai ka të drejtë".

Pra Edi Rama është dhe mbetet peng dhe viktimë e vetëvetes, i egoizmit të tij të pashoq, egoizëm që i ka rrënjët në rininë e hershme të tij. Këtë cilësi ia ka dhënë Edit privilegji i të jetuarit në bllok, në atë pjesë të izoluar të kryeqytetit ku tragjeditë e Shekspirit ishin pjesë e jetës së përditshme. Për këtë arësye Rama ka rënë gjithashtu në duart pengmarrëse të Gramoz Ruçit, Skëndër Gjinushit dhe Sparkat Ngjelës. Më shumë se Rama i priveligjuar në oborrin mbretëror të diktaturës me emrin "Bllok" ka qenë Skënder Gjinushi. Ai përveç egoizmit të tipit të Ramës ka më të zhvilluar në përsonin e tij cinizmin, një lloj cinizmi që mund të bëhet objekt i një studimi të veçantë. Por cinikët dhe egoistët nuk kanë turp. Pikërisht këtu qëndron forca e padukshme e egoizmit dhe egoistëve. Për ta këshillat e të tjerëve janë vetëm "mashtrime" e "kurthe". Skëndër Gjinushi është personi që kishte krijuar partinë socialdemokrate, me pak anëtarë e sinpatizantë. Egoja e tij e cifloi këtë parti jo një herë, por plot pesë herë. Tri parti të tjera kanë dalë nga mitra e egoizmit të Gjinushit. Tash ky person shërben si profesori i Edi Ramës për ta shkatërruar edhe Partinë Socialiste. Në fakt ai këtë po e bën me shumë sukses.

Ndërkaq Gramoz Ruçi mbetet dora më e fuqishme në Partinë Socialiste. Ai i ka mbijetuar të gjitha ndarjeve dhe ndeshjeve në Partinë Socialiste, aq sa duket se është udhëheqësi i socialistëve. Në të vërtetë ka një kategori jo e vogël e të majtëve ekstremistë enveristë, e cila është pjesa më militante e partisë. Pikërisht në këtë pjesë të socialistëve ekstremistë mbështetet Gramoz Ruçi. Egoizmi i tij është më praktik dhe më real sesa ai i Ramës. Ndërsa cimizmi dhe armiqësia e Ruçit ndaj sistemit demokratik në Shqipëri është dhe mbetet jo vetëm e dukshme në sipërfaqen e shfaqjes së tyre, por edhe në veprimtarinë e tij të përditshme. Ai ka qenë dhe është sot zyrtarisht numri dy i partisë. Por ai e ka pushtetin e plotë mbi Ramën dhe gjithë të tjerët në Partinë Socialiste. Gjithçka në këtë parti, rregulli dhe disiplina e saj, statuti dhe programi, mandatet dhe përfaqësimi, politikat dhe taktikat e PS-së rrjedhin sipas skemës, kontrollit dhe vendimeve që merr Gramoz Ruçi. Rama e ndjek pas për shkak të egoizmit të përbashkët që u ka zënë frymën.

Në veçanti vendimet ekstreme të socialistëve janë frymëzimi dhe konkretizimi i bindjeve dhe metodologjisë së luftës guerile të Gramoz Ruçit. Ai ka qenë arkitekt i bojkotit të vitit 1996, me të cilin e parapërgatiti Shqipërinë për ta dërguar në ferrin e revolucionit të vitit 1997. Tash Gramoz Ruçi është arkitekti i bojkotit të parlamentit shqiptar si dhe do të jetë arkitekti i të gjitha bojkoteve politike në vend. Egoizmi i tij nuk njeh asnjë lloj pragmatizmi. Më shumë se Rama Ruçi mbart armiqësinë e brendshme me vetë sistemin demokratik në vend. Ai i falë të gjithë ish-kundështarët politikë e mediatikë, vetëm që ata t'i shërbejnë ideologjisë dhe doktrinës së njohur tashmë si destruktive dhe antikombëtare të bojkotit në Shqipëri. Ndaj dhe Ruçi ia ka falë Spartak Ngjelës konkluzionet e Komisionit Parlamentar për Ngjarjet e vitit 1997, në të cilat ai fajësonte pikërisht Ruçin për organizimin dhe drejtimin e revoltave të formës së "revolucionit të vonuar" komunist. Këtë lëshim të Ruçit Ngjela e justifikon me deklarime militante më ekstreme se ato të vetë ustait të tij si dhe cinikut Skënder Gjinushi.

Marrë nga "Bota Sot"

KOMENTE