Tiranë, 7 Nëntor NOA - Konfindustria (Konfederata e Industrive të Shqipërisë, deklaroi sot se gjendja në tregun e lëndëve djegëse është skandaloze dhe humbjet e drejtpërdrejta financiare nga abuzimet masive kapin shifrat e frikshme prej të paktën 150 milionë euro në vit.
Pohimin e bëri Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm. Ai tha se Konfindustria sërish po përsërit edhe njëherë, "sikurse ka ndodhur prej më shumë se një viti", shqetësimin e saj për gjendjen tepër të vështirë të funksionimit të tregut të karburanteve në Shqipëri.
Fatkeqësisht, me gjithë shqetësimin e vazhdueshëm të Konfindustrisë, gjendja në tregun e karburanteve jo vetëm nuk është përmirësuar, por ka vazhduar të keqësohet me shpejtësi, duke qenë sot në gjendje krejtësisht të papranueshme.
"Humbjet e drejtpërdrejta financiare nga abuzimet masive në tregun e karburanteve në Shqipëri në dëm të qytetarëve, biznesit dhe buxhetit të shtetit kapin shifrat e frikshme prej të paktën 150 milionë euro në vit", - publikoi Buxhuku një përllogaritje.
Ai shtoi se në humbjet e mësipërme nuk llogariten pasojat e pallogaritshme në afatgjatë të humbjeve nga shkatërrimi i shëndetit të njerëzve, mjedisit, etj. nga cilësia mjaft e dobët e karburanteve, që qarkullojnë në tregun shqiptar.
r.l/NOA