English

Lajmëtari i ishullit Nauru

...Si një lajmëtar i ishullit Nauru, dëshiroj ta tërheq vëmendjen e qytetarit të Kosovës: mos i lini burimet natyrore që të shfrytëzohen në atë mënyrë që e dëmton të ardhmen e vendit. Dëgjova se keni qymyr ..., shfrytëzojeni me mend, duke ruajtur edhe shëndetin e fëmijëve tuaj si edhe përfitimet, në mënyrë që këto të fundit të investohen në fushat që sigurojnë zhvillimin e së ardhmes...

Sami Karagjozi

"Nauru është një ishull i bërë me jashtëqitje, që ngjason me jashtëqitjen dhe të cilit i vjen era jashtëqitje. Por, nëse je i zoti në biznes, atëherë në këtë vend do ta mbushesh menjëherë një thes plot me para."

Kështu kishte shkruar një avokat australian për këtë ishull të vockël në mes të oqeanit paqësor (21 km katrore, 9000 banorë). Kjo Republikë, më e vogla në botë, që nga fundi i luftës së dytë botërore gjendej nën protektoratin australian, me një mandat të Kombeve të Bashkuara. Duke u mbështetur pas Kartës së OKB-së, ishulli e fitoi pavarësinë e vet më 1968, dhe, për njoftimin e lexuesit, ai e njohu pavarësinë e Kosovës më prill 2008. Brenda këtyre 40 vjetëve, ky shtet kaloi prej mes më të pasurve të botës te më të varfrit e botës.

Çfarë mallkimi e pruri atë pikë të padukshme në rruzullimin tokësor deri në fund të humnerës së varfërisë? ... Përgjigja është: jashtëqitja e zogjve - glasat, "the bird shit", - thonë Naurutë.

Ata tregojnë se kinse me kalimin e mijëvjeçarëve u grumbulluan jashtëqitjet dhe kockat e zogjve migrues. Duke u përzier me tokën dhe me koralet, ato u shndërruan në rezerva të stërmëdha fosfati. Qe një shekull Nauru ra pre e kompanive gjermane, australiane, neo-zelandeze dhe britanike, të cilat përdorën çdo dinakëri për t'i marrë nën kontroll këto rezerva të kësaj lënde të parë shumë të kërkuar për prodhimin e farave bujqësore, por edhe të eksploziveve. Që nga Traktati i Versajës, më 1920, deri te pavarësia, shfrytëzimi i pasurive natyrore të ishullit nuk qe vënë nën përgjegjësinë e popullit të Naurus, por të grupeve industriale ndërshtetërore. Bile, anashkalimi i Naurutëve shkonte deri atje sa as punëtorët nuk ishin të Naurus, ..."dembelë dhe të dhënë sidomos pas peshkimit", por Kinezë!

Më 1968, kur erdhi në pushtet kryetari i parë i Naurus, Hammer Deroburt, i cili e kishte parë botën duke i kryer studimet larg ishullit, shfrytëzimin e fosfatit e vuri nën autoritetin e shtetit. U krijua "Nauru Phosphate Corporation" e cila zëvendësoi "British Phosphate Commission".

Ky kryetar e dinte nevojën urgjente për të investuar shpejt nga përfitimet e shfrytëzimit të burimit natyror: 30 vjet kishin mbetur për mundësitë e rritjes së zhvillimit ekonomik të vendit, sepse kaq kohë kishte mbetur deri tek shterimi i rezervave të fosfatit pas 60 vjetësh shfrytëzimi prej të tjerëve.

Kryetari shpiku një sistem përmes së cilit shumica e Naurutëve filluan të punonin për shtetin, i cili nxirrte të gjitha të ardhurat e tij prej fosfatit. Banorët u bënë edhe si aksionarë tokësorë duke marrë kompensime për çdo ton fosfati të hequr prej nëntokës së pronësive të tyre. Shumë prej tyre u shndërruan shpejt në milionerë, ndërsa punëtorët vinin nga ishujt e oqeanit paqësor. Kriza e parë e naftës së vitit 1970 i rriti çmimet e lëndëve të para, dhe gjatë këtyre viteve fosfati bëri që ishulli të kishte GDP-in afër të atij të vendeve prodhuese të naftës: rreth 20Â 000 dollarë amerikanë për kokë banori.

Kështu, në atë kohë, Naurutë pothuajse nuk punonin (të tjerët punonin për ta) dhe vetëm importonin dhe konsumonin gjithçka dhe pa kufizim, aq shumë saqë sot obeziteti (d.m.th. trashja) u bë një sëmundje e përgjithshme. Të gjitha shërbimet ishin shtetërore (edhe banjot e banorëve pastroheshin nga shteti!), ndërsa tatimet nuk ekzistonin.

Paratë e shtetit u shpenzuan në mënyrë të papërgjegjshme dhe jo duke e përgatitur vendin për të ardhmen, duke planifikuar për t'iu përgjigjur kohës së shterjes së rezervave të fosfatit. Shumë këshilltarë ndërkombëtarë u afruan me pushtetin për t'i mundësuar Naurus investimet larg vendit, në veçanti në ndërtimtari dhe në hotelieri në Australi, në Zelandë të Re, në Shtetet e Amerikës etj. Pushtetarët e Naurus josheshin kollaj prej premtimeve për përfitime të shpejta. Si rrjedhojë, harxhonin pa shqyrtuar arsyeshmërinë e investimeve, pa pyetur veten "a ka ky investim një kthim pozitiv për zhvillimin afatgjatë të vendit?". Gjatë 20 vjetëve rritjeje populli po flinte, sepse paratë e fosfatit i binin drejtpërdrejt në xhep. Atëherë populli nuk kërkonte llogari për menaxhimin e Fondit të investimeve, Nauru Phosphate Royalties Trust. As nuk u shqetësua kur, më 1991, Qeveria humbi gjurmët e 8.5 milionë dollarësh, transferimin e të cilave e kishte rekomanduar një këshilltar australian. Ato mbërritën në City të Londrës dhe që prej atje, përmes parajsave fiskale u zhdukën përgjithmonë.

Çështja është që e tërë klasa politike kërkonte marrjen e pushtetit për të përfituar nga këto të arritura. Nëse "Babi i pavarësisë" arriti ta administronte Shtetin më shumë se 20 vjet, 27 qeveri u emëruan gjatë 40 vjetëve pavarësie. Që nga 1986 deri sot, ka pasur 23 kryetarë. Pra, kërkimi i përfitimeve të majme është burim i mungesës së stabilitetit politik të vendit. Nëse mund ta quajmë ashtu, gjëja e mirë e ishullit tim sot është që atij nuk i mbeti asgjë për të hapur orekset e të pangopurve…

Vetëm vonë, më 1993, erdhi revolta e parë. Rreth 50 gra kërkuan llogari prej qeveritarëve të mashtruar përsëri prej një ndërkombëtari. Bërtitën: "Ku janë milionat tona? Politikanët po pasurohen dhe trashen, njerëzit varfërohen dhe fëmijët dobësohen!". Ishte shenja e parë që afrohej fundi. Siç ishte paraparë, ndodhi shterja e rezervave: 80% e territorit të vockël ishte gërryer gjithkund, bile gati asnjë pemë s'kishte mbetur. Shërbyesit civilë dhe kompensimet e pronarëve paguhen ende, por me para të marra hua prej bankave. Vendi hyri në borxhe të thella, të cilat paguheshin pas shitjes së ndërtesave dhe hoteleve luksoze në të cilat qeveritarët kishin investuar jashtë vendit pa kurrfarë dobie.

Në hyrje të shekullit të XXI-të, ishulli u specializua në transferimet bankare ndërkombëtare të paligjshme, u bë si një kuti postare-bankare për paratë në drejtim të parajsave fiskale. Për disa vjet paratë e pista të mafisë ruse kaluan kështu përmes "bankave mburojë", por kjo veprimtari u ndërpre pas reagimeve të vendeve perëndimore. Ishulli u bë edhe shënjestra e luftës kundër terrorizmit, sepse disa pjesëtarë të Al Kaides u gjetën me pasaporta të Naurus. Para pak vitesh, ndërsa ishulli kishte mbetur pa asnjë kacidhe, Australia e përdori atë për të strehuar refugjatë afganë me kompensim për Shtetin e falimentuar. Sot erdhi një brez i ri, i pastër dhe i frymëzuar për ta zhvilluar vendin. Por rrethanat e përshkruara më lart tregojnë përmasën e sfidave, kohën e humbur për shkak të qeveritarëve të paditur dhe të papërgjegjshëm.

 Në përfundim, si një lajmëtar i ishullit të Naurus, dëshiroj ta tërheq vëmendjen e qytetarit të Kosovës. Mos i lini burimet natyrore që të shfrytëzohen në atë mënyrë që e dëmton të ardhmen e vendit. Dëgjova se keni qymyrin (të zi, si jashtëqitjet e zogjve tanë), shfrytëzojeni me mend, duke ruajtur edhe shëndetin e fëmijëve tuaj si edhe përfitimet, në mënyrë që këto të fundit të investohen në fushat që sigurojnë zhvillimin e së ardhmes. Analistët e huaj e cilësuan sistemin e kaluar të ishullit tim: "Naurutopia". Kishin të drejtë: ishulli varfëronte tokën e vet duke pasuruar tokën e të tjerëve.

E lexova me vëmendjen raportin e fundit të Komisionit evropian për përparimet në Kosovë. Më vjen keq të jua them, por del qartë se prapa fjalëve burokratike dhe zbutëse, kritikat janë të ashpra dhe s'lënë dyshime për natyrën e menaxhimit të parave tuaja nga ana e pushtetit. Ka edhe miliona që dalin jashtë Kosovës. Bile, për ata që mendojnë se është mendim i mençur të investosh në Dubai, duhet ta dinë se sikur ishullin tim, fati i njëjtë po e pret edhe këtë vend të ndërtuar mbi rërë. Trusti juaj pensional po ngjason me Trustin tonë të mjerë investues: askush s'merr vesh si menaxhohet. Për sa u përket KEK-ut dhe këshilltarëve ndërkombëtarë, më duket se ata vetëm lypin "piece of cake" të tyre. Ndërsa ata i takojnë këtij brumi të keqdashësve që e sollën edhe krizën financiare globale, por që prapë sot nuk mund të pranojnë se kapitalizmi i ekonomisë së tregut kërkon një rregullim moral të praktikave... Pra, kujdes!, kujdes!… po ju thotë një i mbijetuar prej një pike të vockël, plotësisht të dështuar, të botës.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE