English

Myslimanët në SHBA, pse tani po i frikësohen hakmarrjes

Të 2.35 milionë myslimanët e SHBA-së, 15 mijë prej të cilëve shërbejnë në forcat e armatosura, jetojnë me barrën e dyshimit të përgjithshëm, që nga sulmet e 11 shtatorit 2001. Masakra, si ajo që ndodhi në bazën ushtarake Fort Hood, vetëm sa shtojnë trysninë ndaj tyre. Shumë myslimanë tani i frikësohen akteve hakmarrëse

Thirrja e parë kërcënuese ju bë Institutit Arabo-Amerikan, vetëm disa minuta pas emetimit të fotografisë së Nidal Malik Hasan në televizionet amerikane. Në Këshillin për marrëdhënie amerikano-islamike në të njejtën kohë fillojë mbledhja e "shtabit të krizës". Gjatë një konference për shtyp, zyrtarët e këtij këshilli dënuan masakrën në Fort Hood dhe bënë apel për ruajtjen e qetësisë:"Për fat të keq, si rezultat i përvojës që kemi ne si myslimanë, kërkojmë mbrojtjen e familjeve dhe objekteve tona religjioze nga aktet hakmarrëse", u theksua në kumtesën e këtij këshilli. 2.35 milionë myslimanët e SHBA-së, në mesin e tyre edhe 15 mijë pjesëtarë të këtij komuniteti, të cilët shërbejnë në radhët e forcave të armatosura të SHBA-së, jetojnë me barrën e dyshimit të përgjithshëm, që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Të gjitha përpjekjet për integrimin e suksesshëm të këtij komuniteti në SHBA minohen, kur ndodhin raste si ai i Mujahid Muhammadit, i cili në SHBA ka shkuar nga Jemeni, i cili vrau në rrugë dy ushtarë. Kjo vrasje e dyfishtë ndodhi më 1 qershor dhe Muhammad theksoi se e ka bërë këtë vepër, për shkak se "e urren ushtrinë amerikane për shkak të krimeve të saj ndaj islamit". Në fund të vitit 2008, pesë myslimanë nga Philadelphia u shpallën fajtor, nën akuzat se kishin planifikuar një sulm kundër bazës ushtarake Fort Dix. Javën që vjen, pritet ekzekutimi i John Allen Muhammadit, i cili në vitin 2002, brenda një periudhe kohore prej tri javësh, kishte vrarë me snajper 10 persona. Baza ushtarake Fort Hood, në jug të Texasit, është baza më e madhe ushtarake në botë. Aty janë të stacionuar rreth 45 mijë pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Në këtë bazë janë të stacionuara disa njësi të armatës, në mesin e tyre edhe divizioni i parë i këmbësorisë dhe komanda e 13-të e logjistikës. Drejtori i Qendrës për hulumtimin e organizatave ushtarake, David Segal, mosbesimin ndaj pjesëtarëve myslimanë të ushtrisë e krahason me mosbesimin ndaj ushtarëve me prejardhje japoneze, të cilët kanë shërbyer në radhët e ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. "Atëbotë ka ekzistuar dilema e njëjtë sa i përket besnikërisë, dilemë kjo të cilën e dëgjojmë edhe sot, kur bëhet fjalë për myslimanët. Në anën tjetër, e dimë se shumë ushtarë amerikanë me prejardhje japoneze kanë luftuar me nder dhe janë sakrifikuar", tha Segal, i cituar sot nga "Express". Në anën tjetër, amerikanët e shokuar sot tentuan të kuptojnë arsyet se pse një mjek myslimanë në radhët e ushtrisë amerikane kreu këtë masakër, gjatë së cilës vrau 13 persona dhe plagosi mbi 30 të tjerë. Vazhduan spekulimet për atë se a ka ndërmarrë Hasan këtë sulm, si rezultat i stresit të punës, gjatë së cilës ka këshilluar me mijëra ushtarë amerikanë, apo se a ka qenë ai i motivuar nga bindje tjera më të thella. Presidenti amerikan, Barack Obama, tërhoqi vërejtjen që të mos bëhen spekulime, përderisa të mos përfundojnë hetimet. "Ne ende nuk i dimë të gjitha përgjigjet. Nuk është mirë që të nxjerrim përfundime, përderisa të mos i kemi të gjitha faktet", theksoi Obama. Ai dha urdhrin për uljen në gjysmështizë të flamujve në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesat federative, ndërsa forcat amerikane, të stacionuara në të gjitha vendet e botës mbajten një minutë heshtje. Hasan është plagosur nga një police femër, e cila është cilësuar si heroinë, për shkak se i dha fund sulmit të përgjakshëm të ndërmarrë nga ai.

Dëshmitarët kanë theksuar se Hasan ka klithur "Allahu është i madh", në momentin kur ka hapur zjarrin në drejtim të ushtarëve.

KOMENTE