Europiani i majtë, flas për kulturën e majtë popullore, refuzon të jetojë si i pasur. Është një kulturë që vjen në fakt nga një frymëzim i krishterë katolik. Kurse te ne kultura popullore e majtë aspiron pasurimin dhe pushtetin. Këtu ajo hyn në konflikt me veten e vet. Tek ne e majta nuk ka ardhur nga kultura katolike, katolicizmi popullor nuk ka qenë asnjëherë i majtë
Nga Artan Fuga Në vitet e para të viteve '90, mënyra e lidhjes së partisë me elektoratin e majtë ishte sa e thjeshtë, e natyrshme, aq edhe arkaike. Ishin aradhet e disiplinuara të militantëve të Partisë së Punës që ishin mësuar të ndiqnin pas besnikërisht trashëgimtarin e radhës në udhëheqje. Mao Ce Dun, Lin Biao, Hua Kuo Fen, Ten Hsiao Pin, çfarë rëndësie ka se kush drejton, rëndësi ka që ai është në drejtim! Por, vitet 1998-2005, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, e shprishin këtë lidhje. Mëkati i pushtetit ndjek nga pas këdo. Pa mohuar gjithçka që erdhi në ato vite si përmirësim i shoqërisë shqiptare, nuk mund të dyshohet, besoj, se pushtetari socialist, pasaniku socialist dhe militanti i varfër socialist nuk ishin më në atë lidhje besimi si më parë mes tyre. Ka nevojë tashmë për një ideologji, formulë programi, një lidhje të re, e cila ose nuk gjendet dot, ose është ende larg së ngjizuri në mendjet e atyre që kanë ndjeshmëri të majta. Zaten, që në themelim partia nuk ishte produkt i inspirimit të majtë ideologjik, por ishte më shumë një instrument përballjeje nga njëra anë me një trashëgimi njerëzore dhe politike që po i zinte frymën, çatia po binte mbi kokë, por edhe me nevojat e luftës politike të fillimit të tranzicionit. Vështirësia e dytë, sikurse lexohet, ishte edhe ajo epokale. Partia Socialiste po shkonte me njëfarë besimi naiv drejt socialdemokracisë europiane, si pasojë e rënies së Murit të Berlinit. Por, pikërisht ky fakt i fundit, mbarimi i luftës së ftohtë mbi gërmadhat e Murit ndarës të Lindjes dhe Perëndimit, ndikoi që socialdemokracia europiane të hynte në krizë, dhe të mos e gjejë dot më veten as sikurse ishte më parë, as sesi duhej të ishte në të ardhmen. Ne kështu na ndodh shpesh në histori, mbërrijmë në disa stacione pasi treni i të tjerëve, i historisë, ka ikur që andej. Partia Socialiste po shkonte me naivitetin e dikujt që dëshiron të përmirësohet pas një historie të dhimbshme luftërash, fajesh, gabimesh, dramash, drejt së majtës europiane, pikërisht kur e majta europiane po hynte në një fazë krize ideologjike, programore, politike. Po hynte në një periudhë luftërash të brendshme mes individësh e fraksionesh që dëshironin të mbanin pushtetin bosh brendapartiak. Nuk kishte asnjë faj për impasin e ri që historia i kishte ngritur. Brenda kësaj sfide, drejtuesit socialistë, Fatos Nano i pari, nuk kishin çfarë të bënin tjetër, me zgjuarsi, veçse të zbehnin lidhjet me socialistët europianë, t'i mbanin ato thjesht në një nivel simbolik, pra të ruheshin për t'u quajtur të majtë të pastër. Kishte krizë identiteti të prejardhur nga karakteristikat e epokës. Një sfidë tjetër ndofta ka vend të mendohet edhe një herë. Ishte në të vërtetë Partia e Punës e Shqipërisë një parti e majtë? Nuk e besoj. Sipas meje, sigurisht kishte në fondin e saj edhe praktika dhe mentalitete të një të majte ekstreme diktatoriale, por edhe politika të djathta konservatore dhe tepër ekstreme gjithashtu. Ishte një pleksje parametrash politikë, ekonomikë, socialë, psikologjikë të majtë dhe të djathtë autoritarë, sikurse ishin këto kultura politike në vitet '30 të shekullit të kaluar. Qëndrimi autoritar ndaj popullit, ashpërsia e dhunës ndaj kundërshtarëve, censura e fortë dhe shumë e rreptë, izolimi, bazimi te vlerat konservatore të popullsisë tradicionale rurale dhe të kulturës së saj konservatore, etj. - dukuri si këto ishin jo vetëm "pronë" e së majtës pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe të regjimeve të djathta ultrakonservatore si ai i Portugalisë, Spanjës, etj. Edhe sot Partia Socialiste përsëri luhatet midis identitetit të majtë dhe atij të djathtë, që sigurisht nuk kanë të përbashkët me ato të kohëve të shkuara. Ende nuk e ka zgjidhur këtë problem. Po ashtu, në planin psikologjik, brenda Partisë Socialiste vazhdojnë të ndihen problematikat, dramat, tensionet, luftërat "fratricide" në një situatë "postpatricide".
Është një model psikologjik që psikanalisht mbetet i njohur edhe i qartë. Pasi drejtuesit e dikurshëm të partisë së punës ranë nga piedestalet, është vendi bosh që shkakton tufane, tajfune, tornado, pikërisht me boshësinë e vet. Gjithkush që merr drejtimin në parti është i dënuar të shihet me një vështrim kontradiktor.
Nga njëra anë përfiton nga hija e dikurshme e "atit" të vrarë, sikurse do të thoshte Frojdi: të ngrënë mish e kocka në një vakt festiv brenda një arome dehëse alkooli dhe vajrash prej aroma lulesh, trullosës, ere gjaku dhe turbullire gëzimi, shprese dhe hakmarrjeje. Por, nga ana tjetër, bart mbi supe shikimin e zhvlerësimit: "Kush je ti para ‘atit' të ‘vrarë?'". Ende përjetimi i "fajit kolektiv" të vrasjes së totemit fillestar rëndon mbi ndërgjegjen e militantëve dhe drejtuesve. "Ti që ‘rrëzove' atin e radhës nga piedestali, edhe ti do të rrëzohesh!". Nuk shpjegohet dot ndryshe fiksimi kolektiv, pothuajse patologjik, rreth institucionit të dorëheqjes së drejtuesit të radhës. Zjarri dhe patosi i debatit rreth kësaj teme nuk shuhet. Është një lloji mërzie, melankolie, dëshpërimi që vazhdon nga boshësia e monumentit të rrëzuar dhe që si pa kuptuar vazhdon të bjerë si makth mbi kokat e liderëve të radhës në parti. Kapje e vendit bosh, por edhe dëshirë për vendin bosh. Kjo është sindroma e trashëgimtarit. Kjo është arsyeja që e gjej me shumë vend titullin që Luljeta Progni i ka vendosur librit të saj. Edhe dy fjalë për kulturën e majtë demokratike që mungon në ndërgjegjen tonë kolektive si popull. E majta demokratike europiane nuk është produkt i të varfrit, por i një kulture që e gjen idealin e vet te jeta e njeriut të thjeshtë, i cili e përbuz pasurinë dhe jetën sipas vlerave të saj. I duket se jeta larg etheve të pasurisë, konkurrencës, diferencimit klasor, është më e mirë në qetësinë edhe solidaritetin e paqes, dashurisë, mirëkuptimit, kohës që i kushtohet kulturës, mjedisit, njerëzve në hall. Mirëpo, tek ne kultura e të majtit nuk është kjo. Është dëshira për të ardhur në pushtet, për t'i ikur varfërisë dhe mjeteve modeste të jetesës, për t'u pasuruar. Europiani i majtë, flas për kulturën e majtë popullore, refuzon të jetojë si i pasur. Është një kulturë që vjen në fakt nga një frymëzim i krishterë katolik. Kurse te ne, kultura popullore e majtë aspiron pasurimin dhe pushtetin. Këtu ajo hyn në konflikt me veten e vet.
Te ne katolicizmi popullor, shekullar, jo vetëm ka qenë prej shekujsh në minorancë demografike, por nuk ka qenë pothuajse asnjëherë i majtë. E majta nuk ka ardhur nga kultura katolike, katolicizmi popullor nuk ka qenë asnjëherë i majtë. Kjo kontradiktë ndodhet përballë sfidave socialiste në vend.