Tiranë, 7 Nëntor NOA-Deputetja e PS, Ledi Shamku është shprehur pro kërkesës së studentëve grevistë të Universitetit Bujqësor të Kamzës të cilët prej disa ditësh janë ngujuar për shkak të moslejimit të tyre të kryejnë studimet e nivelit të dytë, sipas Kartës së Bolonjës.
Shamku i ka takuar studentët në ambientet ku ata po zhvillojnë grevën e urisë dhe pas takimit i ka kërkuar ministrit të Arsimit të nisë bisedimet me ta.
"Ata studentë nuk kërkojnë asgjë më tepër, sesa një të drejtë ligjore, që ju takon, që jua ka siguruar karta e Bolonjës, që mbasi të mbarojnë sistemin Bachelor me 3 vjet, të vazhdojnë të profilizohen për të marrë të drejtën e punësimit në profesion në +2.
Dhe këtë e përcakton karta e Bolonjës, si të drejtë të papërjashtueshme nga askush.
Por nuk ka në asnjë rresht të kartës së Bolonjës, nuk shkruhet që dikush ka mundësi të përjashtojë studentë nga diploma e nivelit të dytë, nuk ekziston", u shpreh deputetja e PS.
Shamku ka tërhequr vëmendjen e qeverisë të mos i shpallë luftë studentëve, por t'u plotësojë kushtet atyre qoftë me libra e ambiente, qoftë dhe me kualifikime të përaktuara jo sipas rregullave të saj, por sipas marrëveshjeve tashmë ndërkombëtare që Shqipëria ka firmosur në fushën e arsimit.
m.i/NOA