English

Tragjikomedia "Rezart Taçi"

Barazia para ligjit është kryefjala e shoqërisë demokratike. Mirëpo një grusht njerëzish, që kanë qëlluar të jenë në qeveri, rreth qeverisë apo të lidhur me lloj-lloj fijesh me të, po shfaqen me të barabartë se të barabartët, siç do të thoshte Xhorxh Oruell-i.

Taçi, kësaj radhe, u mbeti në dorë autoriteteve, që u kujdesen për fshehjen e tij. Por përpjekja, qoftë edhe e tërthortë apo e heshtur, për ta kaluar me koka turku, ndëshkimin e krimit ndaj Mero Bazes, është një ogur i keq që, veç të tjerash, priret të licencojë rrahjen dhe vetëgjyqësinë në gjithë marrëdhënien e shtypit me pushtetet e tjera

Nga Preç Zogaj

Vetëdorëzimi në polici, pasi gjykata e faktit në Tiranë mori vendimin e masës së sigurisë "burg pa afat" për Rezart Taçin, do të kishte tingëlluar si një përkulje e mirëpritur para ligjit e agresorit të gazetarit Mero Baze.

Mirëpo habia dhe deklaratat e tij e të avokatëve të tij, para kamerave e veniten përshtypjen e mësipërme, duke i dhënë vetëdorëzimit në fjalë pamjen e një inskenimi.

Taçi nuk dinte gjë, nuk paskësh qenë në këtë botë, askush nuk e kishte njoftuar, se ishte shpallur në kërkim nga policia, rastësisht kishte marrë vesh, se ç'paskësh vendosur gjykata e faktit kundër tij dhe ai kishte vendosur menjëherë të përballej me drejtësinë, sepse nuk ishte në kulturën e tij, të ushtronte dhunë, sidomos ndaj gazetarëve… e të tjera e të tjera.

Kaq i paditur dhe i pafajshëm u paraqit, sa nuk u mor vesh a kishte dëgjuar, se dy badigardët e tij, ishin arrestuar dhe se Shqipëria po ziente, nga skandali me protagonist vetë atë.

Nuk ia vlen të shënohet, sesa keq janë qepur gjërat në këtë inskenim dhe sa e shpëlarë duket hipokrizia, kur përzihet me budallallëkun. Gjithsekush është i lirë të zgjedhë mbrojtjen, që i përshtatet.

Por inskenimi i vetëdorëzimit "tradhtoi" një shtirje tjetër, shume më të rëndë dhe shumë më shqetësuese për të gjithë: Zbuloi shtirjen e policisë së shtetit, që kishte deklaruar shpalljen në kërkim të agresorit kryesor të Bazes. Askush nuk kishte shpallur asgjë. Ministria e Brendshme, thjesht kishte bërë sikur, dhe në shembullin e saj, edhe strukturat e policisë, që janë në siklet të madh, si të orientohen, në një vend, ku interesat sundojnë mbi ligjet. Taçi sigurisht shtynte kohën në Tiranë, në pritje të të rejave.

Strategjia e tij dhe e miqve të tij, me sa shihet, ishte të lihen ngjarjet të rrjedhin, derisa skandali të shfryjë në procedura dhe marifete të tjera, me të cilat është plot tashmë taktika e sjelljes së zyrtarëve të Tiranës me drejtësinë.

Mirëpo kësaj radhë ngjarjet rrodhën në një drejtim tjetër. Shoqatat e gazetarëve nga Shqipëria dhe gjithë bota, opinioni publik, krerët e shumë institucioneve, u bashkuan në indinjatën ndaj skandalit, që fyen një vlerë supreme të demokracisë dhe kërkuan njëzëri, nxjerrjen e autorëve para ligjit. Dhe kryesorja: një gjykatë lexoi ligjin në lidhje me atë, që kishte ndodhur.

Ky zhvillim e futi në hullinë e duhur procesin, i cili shpresojmë, se do të shkojë deri fund në logjikën e ligjit, për ti dhënë një mësim dhe një mesazh demokracie gjithë një mjedisi politik, ekonomik dhe mediatik të ndotur me informalitet dhe vetëgjyqësi. Por ndërkaq, deklaratat e Taçit dhe avokatëve të tij, se askush nuk e kishte kërkuar, shtron sërish përpara medies dhe shoqërisë problemin e pabarazisë së shtetasve të këtij vendi, përpara ligjit. Barazia para ligjit është kryefjala e shoqërisë demokratike. Mirëpo një grusht njerëzish, që kanë qëlluar të jenë në qeveri, rreth qeverisë apo të lidhur me lloj-lloj fijesh me të, po shfaqen me të barabartë se të barabartët, siç do të thoshte Xhorxh Oruell-i.

Taçi, kësaj radhe, u mbeti në dorë autoriteteve, që u kujdesen për fshehjen e tij. Por përpjekja, qoftë edhe e tërthortë apo e heshtur, për ta kaluar me koka turku, ndëshkimin e krimit ndaj Mero Bazes, është një ogur i keq që, veç të tjerash, priret të licencojë rrahjen dhe vetëgjyqësinë në gjithë marrëdhënien e shtypit me pushtetet e tjera. Ky mendim, nuk duhet të vazhdoje. Kjo histeri, duhet të ndalet. Përvoja jonë e tranzicionit, na tregon, se arratisja nga ligji në këtë shkallë, të çon në xhungël. Fundi i ligjit është fillimi i vetëshpërbërjes, së paevitueshme të shtetit.. Nuk mund të ndodhë ndryshe, kur helmohet edhe medikamenti, thonë të urtët.Â

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE