English

Vizita në Malin e Zi, Meta nënshkruan tre marrëveshje bashkëpunimi me Roçen

Podgoricë, 7 nëntor, NOA - Tre marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkruar në Podgoricë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në kuadër të vizitës që zhvilloi në Malin e Zi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

Konkretisht, Meta dhe homologu i tij malazez Roçen, nënshkruan marrëveshjen mbi "Lëvizjen e ndërsjelltë të qytetarëve", Marrëveshjen e "Ripranimit" dhe marrëveshjen "Për rikonstruksionin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe sinjalistikave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez".

Këto marrëveshje janë një hap më tej në fushën e rendit dhe të sigurisë, dispozitat e të cilave janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Me anë të këtyre marrëveshjeve, jo vetëm sigurohet vazhdimësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dy vendeve, por edhe garantohet siguria e kufijve duke parandaluar trafiqet ilegale apo lëvizjet dhe qëndrimin e paligjshëm të personave në territoret e vendeve respektive.

Duke i konsideruar marrëveshjet e nënshkruara sot si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, ministri i Jashtëm, Meta u shpreh për përfaqësuesit e mediave shqiptare dhe malazeze se "në të ardhmen do të hartohen edhe shumë projekte të përbashkëta në fushat e mjedisit, energjetikës, arsimit dhe kulturës".

n.e/NOA

KOMENTE