English

Debati bashki-qeveri, "ping pong" shkresash për truallin

Tiranë, 8 Nëntor NOA-Konflikti mes bashkisë së Tiranës dhe qeverisë ka vazhduar dhe sot ku të dyja palët kanë bërë ping pong shkresash duke akuzuar njëri tjetrin se po kërkojnë të përfitojnë miliona euro për truallin në qendër të kryeqytetit.

Një ditë pas publikimit nga ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi të një shkrese zyrtare që tregonte se bashkia pranon pronësinë shtetërore të truallit, sot ka qenë administratori i bashkisë, Dritan Agolli, sipas të cilit, ministri ka ngatërruar shkresën.

 "Kryeministri deklaroi se prona komunitetit mysliman i është dhënë me dokumente të falsifikuara.

Ne kemi dokumentin që e hedh poshtë këtë.

 Qeveria ka marrë një nismë shtetëzimi për një pjesë të pronës.

Ministri thotë se do e bëjë lulishte, kryeministri se do ta shesë", shprehet administratori i përgjithshëm i bashkisë, Dritan Agolli.

Përfaqësuesit e bashkisë thonë se shkresa e bërë publike nga Ministria e Transporteve nuk ka lidhje me pronën që i përket familjes Kika dhe komunitetit mysliman, por me pronën tek lulishtja përballë parlamentit.

Agolli shtoi se nëse qeveria do të veprojë në mënyrë antiligjore, pronarët dhe investitorët do të kërkojnë dëmshpërblim vlera e të cilit është miliona euro.

m.i/NOA

KOMENTE