English

Kompania Bechtel-Enka, pranon zyrtarisht shembjen në tunelin e Durrës-Kukës

Kukës, 8 nëntor NOA - Kompania turko-amerikane që po ndërton autostradën Durrës-Kukës, është detyruar të pranojë zyrtarisht vetëm afro tre ditë më vonë, shembjen e ndodhur në një prej galerive të tunelit të Kalimashit në Thirrë.

Përmes një deklarate për media, Kompania Bechtel-Enka tha se më 5 Nëntor, rreth orës 10.00, në galerinë jugore të tunelit ka ndodhur një rënie e masivit shkëmbor si pasojë e fenomeneve gjeologjike të strukturës shkëmbore.

Shembja ndodhi në kilometrin e dytë të hyrjes së tunelit të Thirrës. Gurë u shkëputën dendur nga masivi i malit duke u shtrirë në një sipërfaqe prej disa dhjetëra metrash linearë.

Duke folur mbi ngjarjen, Kompania Bechtel-Enka nuk dha detaje lidhur me faktin shqetësues të fenomeneve gjeologjike të strukturës shkëmbore.

Kurse theksoi se "asnjë nga punonjësit e kompanisë nuk është dëmtuar" dhe se "nuk ka pasur dëme në mjete, ndërkohë që puna vazhdon në tunel".

Prej disa javësh, autostrada që presupozohet të lidhë Tiranën me Kukësin nuk funksionon pasi autoritetet urdhëruan mbylljen pa afat të qarkullimit në tunelin ku ndodhi ngjarja më e fundit.

Reagimi politikÂ

Në lidhje me ngjarjen, reagimi politik i opozitës ishte i fortë. Zëdhënësja e PS, Armela Imeraj, theksoi se rruga e kombit është shembur po aq here sa është inauguruar nga Berisha.

"Shqiptarët patën rastin të shihnin sesi një segment prej rreth 80 metrash linerarë i tunelit Thirrë - Kalimash është shembur duke rrezikuar jetën e punëtorëve dhe duke bllokuar krejtësisht punimet", - tha Imeraj.

"Pra, janë hedhur më shumë se një miliard euro pas fillimit të punimeve në rrugën e kombit, Â dhe mund të thuhet se tuneli në fjalë, është shembur po aq herë sa është inauguruar për qëllime elektorale nga Sali Berisha:, - ishte akuza e zëdhënëses së PS.

Imeraj tha se Partia Socialiste denoncon faktin që ministri Olldashi dhe kompania që po kryen punimet jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin të informojnë publikun për atë që ka ndodhur, por janë përpjekur me të gjitha mënyrat ta fshehin këtë ngjarje të rëndë.

"Dhe shqetësimi ynë bëhet më serioz nëse kujtojmë se po e njëjta kompani, që tash e katër vjet po bën një hap para e dy hapa prapa në ndërtimin e kësaj rruge, ka qenë e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Bostonit, i cili ka pasur ekzaktësisht po të njëjtat probleme sigurie".

Ndaj PS thotë se shembja e radhës e tunelit ngre një sërë pyetjesh serioze për të cilat ne sot kërkojmë përgjigje dhe i renditi ato:

Çfarë po ndodh sot me tunelin e Kalimashit?

Si e shpjegon ministria dhe kompania ndërtuese faktin që një tunel që ka kushtuar me qindra miliona euro shembet papritur katër muaj pas inaugurimit të radhës së kryeministrit?

Sa do t'u kushtojë kjo shembje më e fundit qytetarëve shqiptarë, të cilët sot janë më të varfër se kurrë?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë?

Si shpjegohet mungesa e plotë e informacionit dhe tisi i misterit që ka mbuluar këtë çështje?

Dhe më shqetësuesja, si janë kushtet e sigurisë në këtë tunel nëpër të cilin gjatë verës kanë kaluar me mijëra qytetarë shqiptarë?

Në këtë pikë, PS thekson faktin se në një vend demokratik informimi i qytetarëve mbi ecurinë e një vepre të paguar me paratë e taksave të tyre është një detyrim ligjor. Prandaj Imeraj tha se "ne sot, në emër të qytetarëve shqiptarë, kërkojmë përgjigje" duke iu referuar pyetjeve të sipërrenditura.

e.r/f.sh/NOA

KOMENTE