Tiranë, 8 nëntor NOA - Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i PSV 91 (Partia Socialiste e Vërtetë '91), është mbledhur mbrëmjen e së shtunës për të ndërmarrë disa vendime që lidhen me riorganizimin e saj.
Mbledhja është drejtuar nga kryetari aktual Gjergji Koja dhe në të, KPD mori disa vendime që lidhen me jetën politike dhe organizative të PSV 91.Kështu u vendos mbajtja e Aktivit Kombëtar të PSV 91 në muajin Dhjetor të këtij viti, ku do të miratohet edhe Platforma Politike dhe ndryshimet në Statutin e PSV 91.
KPD zgjodhi Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj partie Nazmir Bilani si dhe Sekretarin e Marrëdhënieve me publikun Pandi Sara.
Gjithashtu Kryetar për Qarkun e Tiranes u zgjodh Ilir Kokona. Mbledhja e KPD mori edhe disa vendime të tjera në lidhje me riorganizimin e PSV91 në të gjithë Shqipërinë.
Në këtë kuadër, KPD miratoi edhe zgjerimin e Kryesisë dhe të vetë KPD me disa anëtarë të rinj, të cilët u përfshinë në këtë mbledhje.
PSV 91 u drejtua deri në zgjedhje nga Petro Koçi, i njohur si një ndër emrat më pranë Fatos Nanos, ish kryetar i PS.
Pas zgjedhjeve, Koçi deklaroi dhënien e dorëheqjes për shkak se partia e tij nuk u fut dot në Parlament por pak ditë më vonë deklaroi se kishte në plan të vazhdonte përpjekjet për të drejtuar këtë parti.
Disa njerëz besojnë se PSV 91 është partia e piketuar nga Nano për t'u rikthyer në politikë por disa të tjerë e shohin me skepticizëm këtë mundësi.
e.r/NOA