Tiranë, 8 nëntor NOA - Në vizitës zyrtare dy ditore në Malin e Zi, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit sot në një takim nga Kryetari i Parlamentit malazez, Ranko Krivokapiç.
Gjatë takimit u theksua historia e përbashkët e dy vendeve, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve shumëplanëshe gjatë viteve të fundit.
Meta dhe Krivokapiç evidentuan rëndësinë e shkëmbimeve ndërparlamentare për nxitjen e dialogut e bashkëpunimit politik duke theksuar kontributin e rëndësishëm të dy Parlamenteve ndaj nxitjes dhe ecurisë së proceseve integruese të përbashkëta rajonale dhe euroatlantike.
Në këtë kuadër u shpreh vullneti për intensifikimin e kontakteve mes komisioneve të ndryshme parlamentare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rolin që luajnë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi dhe shprehën bindjen se procesi i përfshirjes të tyre në të gjitha nivelet e administratës qendrore e lokale duhet të vazhdojë, duke u mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare.
k.k/NOA
Â