Tiranë, 8 Nëntor NOA - Partia Socialiste duke analizuar sot Buxhetin e Shtetit për vitin 2010, tha se ai nxjerr zbuluar premtimet boshe të Berishës për bujqësinë.
Ervin Bushati, Nënsekretar për Programin në PS, duke folur për mediat, konstatoi se Qeveria i jep bujqësisë në fshat 42 herë më pak se sa kontributi real që ajo sjell në ekonominë tonë.
Ai vuri në dukje se Bujqësia është sot një e pesta e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por merr vetëm gjysmë për qind në projektbuxhetin për vitin 2010 të paracaktuar për Ministrinë e Bujqësisë.
Për Bushatin, është faji i Sali Berishës që politikat ekonomike në bujqësi janë tepër të pafuqishme dhe pa fondet e duhura për të ndryshuar jetën e vështirë në fshat.
Bujqësia e mbetet sërish "Liliput" nën "vizionin kolosal" të zotit Berisha, i cili merret vetëm me vepra të mëdha dhe harron "realitetin e vogël" të familjeve shqiptare në fshat, - shtoi Bushati.
Ai evidentoi edhe se në projektbuxhetin e vitit 2010, Qeveria Berisha ka përcaktuar vetëm investime minimale për gjysmën e familjeve shqiptare që mbijetojnë në fshat dhe të vetmin mjet jetese kanë aktivitetin bujqësor.
Për socialistët, neglizhenca e qeverisë për vështirësitë që bëjnë të pamundur jetesën nëpërmjet bujqësisë nuk mund të fshehin realitetin e dhimbshëm në vend.
"Vështirësitë ekonomike në investime, infrastruktura tërësisht e mangët dhe një treg bujqësor kaotik, e bëjnë të pamundur zhvillimin normal të një aktiviteti rural fitimprurës për familjet në fshat", - deklaroi Bushati.
Duke përfunduar ai tha se PS denoncon premtimet boshe të qeverisë për fonde dhe strategji pa fund për zhvillimin e ekonomisë bujqësore në zonat rurale.
"Gjendja ekonomike dramatike në fshat nuk ndryshon dot, po nuk ndryshoi mentaliteti qeverisës dhe përkujdesja reale për gjysmën e familjeve shqiptare në vend", - apeloi Bushati.
f.sh/NOA