English

Topi ngushëllon Obamën: Tragjedia e Fort Hudit, përjetim dhimbjeje të thellë

Tiranë, 8 nëntor NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.

Mesazhi vjen si ngushëllim për ngjarjen tragjike të ndodhur në bazën ushtarake të Fort Hud në Teksas ku humbën jetën 13 ushtarakë dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë.

Në këtë mesazh Topi vë në dukje se u hidhërua pa masë nga ngjarja e rëndë dhe tragjike e Teksasit, e cila shkaktoi shumë viktima dhe të plagosur nga qytetarët amerikanë.

"Në këto çaste hidhërimi të thellë për ju dhe popullin mik amerikan, së bashku me ngushëllimet e mia dhe ato të popullit shqiptar për familjet e viktimave, ju shpreh ndjenjat e sinqerta të solidaritetit", - thuhet në mesazh.

"Me dëshirën që të lënduarit të kthehen sa më shpejt pranë të dashurve të tyre, në gjirin e familjes, shpreh bindjen se forca, vitaliteti, dashuria për jetën dhe besimi tek Zoti, tipare këto të popullit amerikan, do të triumfojnë për të kapërcyer këtë brengosje dhe për të lehtësuar dhimbjen e madhe që të gjithë ju përjetuat", - përfundon mesazhi i Presidentit Topi.

f.sh/NOA

KOMENTE