English

Berisha mesazh Merkelit për 20-vjetorin e Murit, vlerëson dhe Gorbaçovin e Bushin

Tiranë, 9 Nëntor NOA Update - Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar sot një mesazh urimi Kancelares gjermane Angela Merkel me rastin e 9 nëntorit, ditës përkujtimore të rënies së Murit të Berlinit.

Ndër të tjera në mesazh, Berisha i kujton Merkelit, faktin se ajo që sot njihet si zonja e hekurt e Gjermanisë, dy dekada më parë ishte një studiuese e anës tjetër gjermane:

"Kombi gjerman feston 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit si njërën nga ngjarjet më të mëdha të historisë së tij, nën udhëheqjen tuaj, që sapo merituat mandatin e dytë, e që 20 vjet më parë ishit një studiuese, në anën e errët të Murit të Berlinit. Ky është dhe simboli më i ndritshëm i mrekullisë së lirisë".

***

Sot kombi gjerman, së bashku me qytetarët e lirë në mbarë botën, festojnë 20-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, ngjarjen më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore për kombin tuaj, por edhe për lirinë e njerëzimit.

Nisur nga ky fakt, Berisha thotë në mesazhin drejtuar zonjës Merkel se sot është një ditë e madhe, në të cilën gjermanët dhe qytetarët e lirë në mbarë botën nderojnë së bashku burrërinë, trimërinë dhe guximin e jashtëzakonshëm të mijëra e mijëra djemve e vajzave, burrave e grave të Gjermanisë Lindore.

Berisha thekson se më 9 nëntor të vitit 1989, këta djem e vajza, me zjarrin e lirisë në shpirt dhe zemër u vërsulën si luanë mbi Murin e Berlinit, e shembën atë duke hapur jo vetëm dyert e bashkimit të kombit tuaj, por edhe dyert e lirisë për qindra milionë qytetarë të Evropës, të cilët vuanin nën tiranitë komuniste.

Shembja e Murit të Berlinit i dha zgjidhje përfundimtare çështjes gjermane, e cila, siç do të theksonte Presidenti amerikan Ronald Regan ishte njëkohësisht çështje e lirisë së njerëzimit.

Për më tepër, 9 nëntori i vitit 1989 bëri të mundur që kombet evropiane, ndër të cilat dhe kombi shqiptar, të shtypura nga diktaturat komuniste, të ngrihen njëri pas tjetrit dhe të shembin regjimet e egra totalitare në vendet e tyre, duke realizuar kështu përmbysjen me shpejtësi, në mbarë Evropën, të sistemit socialist, eksperimentit më tragjik, që njerëzimi ka njohur në tërë historinë e vet.

Ndaj kryeministri shqiptar thotë në mesazhin për zonjën Merkel, se sot, një nderim i veçantë dhe mirënjohje e thellë u takon personaliteteve botërore, Ronald Reganit, Helmut Kohlit, Xhorxh Bushit, Mikail Gorbaçovit, Papa Gjon Palit të Dytë, të cilët, me vizionin e tyre, u dëshmuan misionarë, promotorë dhe arkitektë të shembjes së perdes së hekurt dhe të bashkimit të Gjermanisë.

"Këto 20 vite Gjermania e bashkuar në liri u shndërrua në promotorin kryesor të zhvillimit dhe integrimit evropian. Shqiptarët kanë pasur dhe kanë privilegjin e madh të jenë në krye të listës së ndihmës dhe të solidaritetit të vendit tuaj, mik e bujar. Unë ju garantoj se do t'ju jemi gjithmonë mirënjohës:, - thotë Berisha në mesazh.

e.l/NOA

KOMENTE