Tiranë, 9 nëntor, NOA - Sopranoja Evis Mula është zgjedhur nga juria e festivalit operistik "Marie Kraja" si fituesja e edicionit të radhës.
Festivali, i vetmi në llojin e tij në Shqipëri realizuar nga producentja dhe prezantuesja e tij, Zana Çela ka ofruar në sallën e Akademisë së Arteve jo vetëm një garë të madhe, por edhe një spektakël të vërtetë nën regjinë e Pali Kukes.
Për më shumë se tri orë, përveç interpretimit të shkëlqyer të dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria ndërkombëtare, e diela është kthyer në një natë festive. Kulmi i së cilës është shënuar në momentin e ndarjes së çmimeve të mëdha për këtë vit.
Në këtë jubile çmimin e madh që mban emrin e yllit të skenës tonë e ka fituar një shqiptare.
Juria ndërkombëtare e drejtuar nga Joan Matabosch, - drejtor artistik i teatrit të Barcelonës,- ka votuar për sopranon Evis Mula si më të mirën e edicionit të dhjetë të festivalit "Marie Kraja".
Çmimin e dytë e ka fituar baritoni italian Francesco Landolfi, ndërsa të tretin sopranoja amerikane Michelle Trovato. Por lajmet e mira nuk kanë përfunduar vetëm me shpalljen e emrave të fituesve.
Pas spektaklit të ofruar mbrëmjen e së dielës nga producentja Zana Çela, Drejtori Artistik i Teatrit "La Scala" në Milano ka ftuar zyrtarisht fituesen Evis Mula dhe sopranon kosovare Besa Llugiqi në teatrin me famë botërore.
Dy vajzat e veçuara nga drejtorit i "La Scala"-s, si zërat më premtues të këtij edicioni, do të nisen brenda pak ditësh për një audicion në skenën aq të lakmuar për artistët e rinj dhe jo vetëm.
n.e/NOA
Â
Â
Â
Â