Lushnjë, 9 nëntor, NOA - Ka dashur që të kalojë një përrua, por duket se automjeti nuk ia ka dalë dot mbanë, duke u përmbysur dhe lënë të vdekur në vend dy persona.
Burimet policore konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën rurale të fshatit Gribë në Gramsh, ku në përpjekje për të kaluar ujërat e përroit Sojnik, makinën e ka marrë rrjedha duke i shkaktuar përmbysjen fatale.
Si pasojë, bëhet me dijeni, se kanë gjetur vdekjen dy pasagjerët që po udhëtonin me këtë mjet, Ilir Mema, 30 vjeç, lindur dhe banues në Plug të Lushnjës, si dhe mbesa e tij, Manushaqe Rika, 19 vjeçe, lindur dhe banuese në fshatin Gribë të Gramshit.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, forcat policore kanë mundur të arrestojnë në flagrancë, drejtuesin e automjetit Mitsubish me targa LU-1379 C, 32-vjeçarin Edmond Kadiu, lindur dhe banues në Lushnjë si i dyshuari për kryerjen e këtij aksidenti me pasojë vdekjen e dy personave.
Aktualisht, ai është dërguar në spitalin ushtarak të Tiranës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa ekspertët hetimorë janë duke analizuar të gjitha rrethanat, për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarje.
n.e/NOA