Berlin, 9 nëntor, NOA - Kryeqyteti gjerman do të përkujtojë sot në mënyrë ceremoniale rënien e Murit të Berlinit ekzaktësisht para 20 vjetësh, më 9 nëntor 1989.
Në ceremoninë përkujtimore të rrëzimit të murit që ndante dy botët e krijuara nga e ashtuquajtura Lufta e Ftohtë, do të marrin pjesë edhe ata që e kryesonin atë si ish- udhëheqësi sovjetik, Mikail Gorbaçov apo ish-drejtuesi i lëvizjes antikomuniste në Poloni, Les Vales, por edhe liderë të tjerë të asaj periudhe.
Ndërsa nga liderët aktualë të botës, do të jenë të pranishëm në ceremoninë që do të mbahet në Brandenburg Gate, kryeministri britanik Braun, presidenti francez Sarkozy, ai rus Medvedev si dhe sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton.
Më shumë se 100 mijë vizitorë kanë vërshuar në qytet së bashku me ta për festimet që përfshijnë aktivitete nga më të ndryshmet, duke mos u harruar as përkujtimi i 136 personave që u vranë duke u përpjekur ta kapërcejnë murin nga viti 1961 deri në vitin 1989.
Muri i Berlinit ndau për gati tre dekada me radhë qytetin gjerman mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai ishte simboli më i njohur i Luftës së Ftohtë.
Por në fund, protestat dhe revolucionet paqësore në rajon bënë që Muri të binte, duke i hapur rrugë bashkimit të Gjermanisë, duke i dhënë fund Luftës së Ftohtë dhe lëvizjeve gjeopolitike në Evropë dhe përtej saj.
Për të përshkruar rrjedhën e ngjarjeve, përgjatë vendit ku dikur ngrihej Muri, është vendosur një rresht i gjatë prej një kilometri e gjysëm dominosh të mëdha dhe me ngjyra të ndezura.
n.e/NOA