English

Rama: Berisha të japë informacione për zhvillim dramatik në tunelin e Kalimashit

Tiranë, 9 nëntor NOA - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka reaguar për heshtjen e qeverisë ndaj shembjes së tunelit Thirrë-Kalimash.

"Vetëm disa ditë më parë, media e pavarur raportoi se në tunelin Thirrë-Kalimash pati një shembje.

U fol për 80 metra shembje, por në mungesë të plotë të transparencës, natyrisht kjo shifër ishte një hamendje.

Qeveria nuk tha asnjë fjalë edhe pse bëhet fjalë për investimin më të madh publik të popullit shqiptar në të gjitha vitet e tranzicionit.

Për qeverinë, sipas deklaratës zyrtare të disa muajve më parë të vetë ministrit të transporteve, rruga Durrës Kukës, përfshi edhe tunelin e Kalimashit kishte përfunduar. Madje të gjithëve ju kujtohet kryeministri i atëhershëm nuk ngurroi ta inauguronte, jo një herë, por dy herë, në fillim e në fund të fushatës së tij elektorale me fondet publike tunelin e Kalimashit" tha sot Rama.

Sipas kryesocialistit Rama, për këtë ngjarje por hesht kryeministri i cili duhet të thirret i pari në prokurori për të dhënë llogari për nxitimin e papërgjegjshëm të punimeve thjesht e vetëm për inaugurimet e tij abuzive elektorale, Sali Berisha. "Pasi për dy ditë me radhë, Partia Socialiste kërkoi publikisht zbardhjen e asaj çfarë ka ndodhur brenda në tunelin e Kalimashit, ku nuk lejohen të hyjnë mediat, qeveria u mjaftua me një deklaratë aspak transparente, ku megjithatë pranon se ka një shembje - edhe pse njeriu tjetër që duhet thirrur në prokurori për të dhënë llogari për menaxhimin skandaloz të këtij investimi madhor të popullit shqiptar, pra ministri i transporteve, e quan shembjen në veprën më të madhe e më delikate publike të vendit, një normalitet në punë e sipër" tha më tej Rama.

Rama shtoi se Partia Socialiste i kërkon publikisht Sali Berishës të mos bllokojë informacionin që ka detyrimin kushtetues e ligjor t'i japë publikut lidhur me këtë zhvillim dramatik në tunelin e Kalimashit, të mos ndalojë mediat të bëjnë punën e tyre të ligjshme dhe të kryejnë detyrimin e tyre karshi qytetarëve, të mos heshtë jo vetëm në cilësinë e drejtuesit të një qeverie që ka një llogari të hapur me popullin shqiptar për vjedhjen e votave në 28 qershor, po edhe në cilësinë e përgjegjësit numër një për këtë dëm të ri ekonomik që i ka shkaktuar buxhetit të shqiptarëve me korrupsionin, injorancën dhe me etjen e tij të shfrenuar për pushtet, që i shtyu punimet deri në këtë pikë.

k.k/NOA

Â

Â

KOMENTE