Nga Rajmonda LajthiaÂ
Tiranë, 9 nëntor NOA - Situata e rënduar nga reshjet gjatë ditëve të fundit ka detyruar institucionet e shtetit të kalojnë në gatishmëri për të përballuar situatën.
Ministria e Ekonomisë ka sqaruar se ka nisur depozitimin e energjisë në Kosovë, me qëllimin e vetëm që të mos hapë portat në hidrocentrale.
Kuota në Fierzë ka arritur në kufijtë e 285 metrave, ndërkohë në nivelin maksimal është sasia e ujit në Koman dhe Vaun e Dejës.
Gjatë një konference për shtyp zv/ministri i Energjetikës Leonard Beqiraj u shpreh se u arrit që të plotësoheshin nevojat e vendit me energji si dhe u depozitua në Kosovë 2.5 milion kë/h.
Sipas tij kanë nisur procedurat për eksportin e energjisë së tepërt në tregun rajonal. Beqiraj tha se qëllimi i ministrisë është që të shfrytëzohet maksimalisht çdo sasi dhe të mos derdhet asnjë pikë uji.
Situata kritike është shënuar dje në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe në Koman kur nivelit arriti në kuotën maksimale, përkatësisht 76 dhe 175 metra. Â
Nga ana tjetër ministria e Bujqësisë ka pranuar gjendjen kritike të krijuar nga përmbytjet nga Durrësi në Shkodër.
Por ky dikaster mohon të jenë dëmtuar të mbjellat bujqësore.
Sipas të dhënave zyrtare është kërkuar nga Operatori i Shpërndarjes që energjia të mos ndërpritet për të vijuar puna në hidrovore.
Kjo ministri ka publikuar zyrtarisht se gjendja më kritike është vërejtur në zonat e Lezhës, për shkak të ndërtimeve informale.
Megjithatë thotë ministria për shkak të ndërhyrjeve në lumin Drin, për pastrimin e kolektorëve sipërfaqet e përmbytjeve janë të vogla.
Por pavarësisht deklaratave zyrtare të institucioneve shtetërore situata në terren rezulton ndryshe.
Qindra ha tokë janë nën ujë në rrethe të ndryshme të vendit, shumë shtëpi janë dëmtuar dhe mijëra banorë në fshatra të largët janë izoluar si pasojë e rrëshqitjeve në rrugë.
r.l/NOA