Tiranë, 9 nëntor NOA - Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka reaguar sot pas deklaratës së kryesocialistit Edi Rama se qeveria po hesht për shembjen e tunelit Thirrë-Kalimash.
"Kryetari i Partisë së Bashkisë, në një akt rrugaçërie të pashembullt politike, doli sot përpara shtypit për të shfaqur gëzimin e tij të pakontrolluar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë në galerinë jugore të tunelit Thirrë-Kalimash.
Është rasti i parë në të gjithë botën demokratike që një drejtues opozite i lejon vetes të ngazëllejë dhe të ngrejë mbi ngazëllimin spekulime të turpshme.
Ndaj ngjarjes, qeveria përmes MPPTT ka mbajtur standardet më të larta të transparencës' tha Olldashi.
Olldashi përmendi dhe një deklaratë të bërë prej tij një muaj për parë ku njoftonte se: "Tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situate kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi" duke shtuar se është bërë transparent problemi.
"Fenomeni gjeologjik që ndodh në tunelin e Thirrës ishte i paparashikuar dhe fenomene të paparashikuar në brendësi të maleve, në punime të tillë, janë të pritshëm.
Një situatë pothuajse identike me tunelin e Thirrës haset në tunelin e linjës së shpejtësisë së lartë Lion - Torino. Ne këtë tunel, punimet për të cilin kanë nisur më 2003, në vendin e quajtur St. Martin La Porte ka pasur konvergjenca të vazhdueshme deri në 2m spostim të masës shkëmbore, por nuk është parë ndonjë drejtues i opozitës franceze të festojë për këtë" tha më tej Olldashi.
"Gënjeshtrat e paturpshme të Edi Ramës për gjoja kosto qindramilionëshe janë pa asnjë bazë dhe vijnë vetëm si asociacion i shifrave që kryetari i bashkisë ndërmend për lejet e ndërtimit në kryeqytet.
Gjithcka ka thënë sot z. Edi Rama në konferencën e tij për shtyp nuk është gjë tjetër veçse një defekim oral" përfundoi ministri i Transporteve.
k.k/NOA