English

Vetëm 200 m larg kufirit, i shpëton policisë në errësirë dhe shi mbajtësi i thesit me kanabis

Kastrat, 9 nëntor, NOA - Mbante me vete një thes me 9 kilogramë kanabis, duke u endur nëpër errësirë, vetëm 200 metra larg pikës kufitare të Hanit të Hotit në Malësinë e Madhe.

Por më pas me të rënë në sy të forcave policore, e ka hedhur menjëherë në tokë duke mundur t'u shpëtojë në vrap e sipër falë kushteve të këqija të motit me shi, errësirës dhe terrenit malor.

Ngjarja konfirmohet nga burimet policore të Malësisë së Madhe për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave ajo ka ndodhur pikërisht në afërsi të shinave të linjës hekurudhore, rreth 200 metra larg pikës së kalimit kufitar në terren malor.

Bëhet me dijeni se patrulla e Policise Kufitare sapo e ka konstatuar personin e paidentifikuar që lëvizte në drejtim të vijës së kufirit, i është vënë pas, por pa mundur ta kapte dot e duke arritur të sekuestrojë vetëm thesin që ai braktisi për t'ia mbathur.

Pas veprimeve hetimore, u konstatua se në thesin e braktisur ndodheshin gjithsej 9 kilogram lëndë bimore në gjendje të thatë, e ngjashme me kanabis sativa, të ndara në 9 pako me nga një kilogram peshë secila.

Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale, ndërsa materiali do t'i dërgohet prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprën penale të "Trafikimit të lëndëve narkotike".

n.e/NOA

KOMENTE