English

Vizat, KE: Na ndihmoni tu ndihmojmë, liberalizimi në 2010 nëse plotësoni kushtet

Tiranë, 9 nëntor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua sot me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Imigracionin dhe Azilin, Jean Louis De Brouwer.

Vizita e Brouwer në Tiranë bëhet në kuadër të fazës finale të dialogut për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE.

Gjatë takimit, Meta e informoi De Brouwer mbi plotësimet e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga ana e qeverisë shqiptare.

Ai vuri në dukje hapat që janë marrë në lidhje me bashkëpunimin mes agjencive në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, menaxhimit të integruar të kufijve, ecurinë e proçesit të prodhimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike, si dhe paketën e strategjive, plan-veprimeve dhe projektligjeve të miratuara në proçes.

Më tej, Meta u përqendrua në punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për të siguruar jo vetëm miratimin në kohë por edhe zbatimin e plotë të angazhimeve ligjore dhe institucionale që janë ndërmarrë në këtë kuadër.

De Brouwer, siguroi Metën për vullnetin dhe angazhimin e Komisionit Evropian për ta përmbyllur këtë proçes brenda gjashtëmujorit të parë të 2010, duke iu referuar madje edhe proçedurave të reja që aplikohen pas hyrjes në fuqi të traktatit të Lisbonës.

Më pas ministri Meta dhe De Brouwer zhvilluan një prononcim për shtyp.

"Unë i kam theksuar, De Brouwer se sot, kur në të gjithë Evropën kujtohet rënia e murit të Berlinit, për ne shqiptarët, arritja e kësaj marrëveshje për liberalizimin e vizave me BE është si një rënie për së dyti e këtij muri që nga ardhja e demokracisë në vendin tonë.

Ndaj ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian për t'i dhënë mundësi vendit tonë që të hyjë në këtë dialog shumë intensiv për liberalizimin e vizave" tha Meta para mediave.

"Ne jemi të ndërgjegjshëm se mbetet ende për të bërë dhe do të bëjmë çdo gjë për t'i përmbushur të gjitha detyrimet tona, duke qenë të bindur se edhe Komisioni, dhe të gjithë shqiptarët, këtë presin" shtoi më tej Meta.

Ndërsa në prononcimin e tij De Brouwer tha se është në Tiranë sot për të shkëmbyer mendime me qeverinë shqiptare rreth punës dhe gjendjes së deritanishme në lidhje me proçedurat e liberalizimit të vizave.

"Siç dihet, ky proçes bazohet mbi udhërrëfyesin që përfshin kërkesat mbi vizat.

Ky është një proçes objektiv, i qartë dhe jopolitik, që bazohet mbi vlerësimin e përbashkët të situatës dhe zhvillimeve në këtë drejtim.

Qeveria shqiptare ka bërë hapa shumë të mëdhenj gjatë këtyre muajve të fundit. Janë adoptuar plane veprimi dhe janë përgatitur projektligje.

Pra, për t'a përmbledhur shkurt, dhe siç i theksova edhe Meta gjatë takimit, mesazhi nga Komisioni Evropian sot është: Na ndihmoni, që tu ndihmojmë!

Ne presim nga mesi i këtij muaji një raport tjetër nga Qeveria shqiptare lidhur me gatishmërinë e saj në këtë drejtim.

Ky raport do të shërbejë si baza e planifikimit të përbashkët në nivelin e lartë zyrtar për fazën tjetër të proçesit të liberalizimit të vizave. Edhe një herë, ky proçes është i qartë, objektiv dhe transparent" tha Brouwer.

k.k/NOAÂ

Â

KOMENTE