English

Zgjedhjet në Kosovë do të monitorohen nga 21 mijë vëzhgues vendorë e të huaj

Prishtinë, 9 nëntor, NOA - Mbi 21 mijë vëzhgues vendorë dhe të huaj do të ngarkohen me misionin e monitorimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Kosovë më 15 nëntor.

Lajmi bëhet i ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, sipas të cilit vetëm të shtunë janë akredituar më shumë se 1 500 vëzhgues, duke pohuar se gjatë kësaj jave do të vijojë procesi i akreditimit të mijërave të tjerë.

"Numri i vëzhguesve nuk është i vogël dhe ai do të rritet në ditët në vijim, transparenca do të jetë e siguruar", ka deklaruar kryetarja e KQZ në Kosovë.

Një fakt i tillë pritet të sigurojë transparencën e duhur të procesit, i cili është kontestuar për mungesën e sigurisë nga pakica serbe e pranishme në këtë vend.

Ndërkaq, autoritetet kosovare por edhe ato ndërkombëtare u kanë bërë thirrje zgjedhësve serbë në Kosovë që të marrin pjesë për të zgjedhur krerët e rinj lokalë, mes tyre edhe ata të tre komunave me shumicë serbe, pasi procesi zgjedhor garanton siguri dhe transparencë të plotë.

n.e/NOA

KOMENTE