Tepelenë, 10 nëntor, NOA - Ka përfituar nga gjendja e rëndë mendore e një gruaje të rënë në depresion pas divorcit me të shoqin, për të realizuar qëllimin e tij të mbrapshtë, atë të përdhunimit të saj.
Duke e marrë nga banesa ku ajo qëndron e izoluar, pa dashur të ketë kontakte me botën, e ka çuar në një banesë të braktisur ku ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë duke i lidhur duart.
Por të gjitha përpjekjet e tij kanë shkuar dëm, pasi sapo ka qenë gati për të realizuar qëllimin e tij, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes familjarët e vajzës, të cilët ishin vënë në kërkim të saj.Pas kësaj, agresori e lëshoi menjëherë vajzën dhe u largua duke e lënë me duar të lidhura në banesën e braktisur.
Burimet policore të Gjirokastrës konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se ngjarja në fjalë ka ndodhur në fshatin Arëz të Madhe të Tepelenës dhe autori i dyshuar i saj ka qenë 18-vjeçari S.Ismaili, banues i këtij fshati.
Ndërsa e dëmtuara është 42-vjeçarja me inicialet K.S, e cila figuron si e sëmurë me të meta mendore që qëndron e vetmuar në njërën nga dhomat e banesës së prindërve.
Pas marrjes së kallëzimit të kryer prej prindërve të saj, forcat e policisë janë vënë në kërkim të autorit dhe pas disa orësh kanë bërë të mundur kapjen e tij, duke e gjetur të shehur në një banesë.
Ndaj tij ka nisur procedimi për veprën penale "Marrëdhënie seksuale me persona të pazot për t'u mbrojtur mbetur në tentativë", parashikuar nga nenet 103/1 e 22 të Kodit Penal.
n.e/NOA