Tiranë, 10 Nëntor NOA - Trajneri i Çelsit hedh poshtë të gjithë zërat që qarkullojnë për momentin, se skuadra e drejtuar prej tij po korr frytet e merkatos dhe shpenzimeve të mëdha gjatë merkatos, duke lënë mënjanë faktet pozitive gjatë garës.
Politika agresive që ka adoptuar klubi anglez për të pasur një ekip sa më të kompletuar me lojtarë për sukses, është hedhur poshtë nga trajneri Karlo Ançeloti, duke dhënë si shembull edhe ekipet e tjera të Premier Ligës që janë të kompletuara me futbollistë të mëdhenj dhe gara është e hapur për titullin në fund të këtij edicioni, siç ka ndodhur edhe gjatë viteve të tjera.
Çelsi ka qenë i lidhur me një numër të lartë sulmuesish, që do të largohen në ekipet e tyre gjatë janarit, çka për Ançelotin përbën problemin kryesor.
Sipas tij duhet zgjidhur kjo çështje, sepse Drogba dhe Kalu do të marrin pjesë në Kupën e Kombeve të Afrikës, që do të thotë se Çelsi nuk do të ketë gjatë përgatitjeve, të gjithë ekipin.
Ndaj duhet ndjekur një politikë më e mirë në merkato, që të mos afrohen lojtarë nga i njëjti kontinent, ose të veprohet ndryshe, për të shmangur një dukuri të tillë.
"Ne kemi pak lojtarë të rinj në moshë dhe një prej tyre është Aguero", -theksoi trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, duke bërë një krahasim me Paton e Milanit, i cili si për momentin edhe për të ardhmen, konsiderohet një xhevahir i klubit të tij.
Për sa i përket diferencës që ekziston mes futbollit italian dhe atij anglez, Karlo Ançeloti preferon që të jetë sa më diplomat.
"Ndryshimi qëndron në termat teknikë dhe të atmosferës që krijohet gjatë një ndeshjeje", -shprehet më tej trajneri i Bluve të Londrës.
Ekipi i "Stamford Bridge" mundi gjatë javës së fundit Mançester Junajtid, me rezultatin 1-0 dhe kjo ndeshje nuk e surprizoi trajnerin Karlo Ançeloti. Ish-timonieri i Milanit orientoi një skuadër superiore ndaj Mançester Junajtid në ndeshjen e fundit të Premier Ligës.
"Ne jemi të sigurt se do të shënojmë sukses në fund të këtij edicioni. Kemi pasur një nisje të mbarë të këtij edicioni dhe skuadra duket shumë e fortë", - përfundon trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti.
e.l/NOA