English

Ankesat, Berisha, urdhër Bodes: Ndal lojërat e fatit për të varfrit, po prishin familjet

Tiranë, 10 Nëntor NOA - Një urdhër i rrallë është ndërmarrë vetëm pak minuta më parë nga Kryeministri i vendit Sali Berisha, për të shmangur konfliktet familjare për shkak të zhytjes së burrave në lojërat e fatit.

Burime zyrtare nga Këshilli i Ministrave, i thanë sonte Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA, se kryetari i qeverisë ka kërkuar nga ministri i Financave,

Ridvan Bode që të amendohet në mënyrë të menjëhershme, ligji "Për Lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë".

Burimet nga Qeveria i pohuan NOA-s se "Kryeministri ka marrë një numër të madh shqetësimesh nga familjarë, bashkëshortë të personave, të cilët shpenzojnë të gjitha rrogat dhe të ardhurat e tyre, duke krijuar kështu drama të vërteta familjare, duke lënë paratë e tyre në lojërat e fatit dhe në kazino".

Në përputhje me standardet e vendeve te tjera, ligji shqiptar parashikon që personi ndaj të cilit paraqesin ankesa familjarët për këtë problem nuk duhet të lejohet që të luajë më në lojërat e fatit dhe në kazino.

Por nga ana tjetër, - sikundër pranon Qeveria, - ligji nuk është i qartë në sanksionet që duhet të merren ndaj biznesmenëve dhe menaxherëve të kësaj kategorie të biznesit, të cilët vazhdojnë të lejojnë që personat ndaj të cilëve janë paraqitur ankesa të luajnë dhe të shpenzojnë paratë e tyre.

Ndaj, nisur nga ky fakt që e cilëson si tejet shqetësues, Kryeministri Berisha i ka kërkuar ministrit të financave, Ridvan Bode që "të amendohet ligji me shpejtësi dhe duke përcaktuar masat më të rrepta ndaj shkelësve të ligjit, pra ndaj pronarëve dhe menaxherëve të lojërave të fatit dhe kazinove që lejojnë në kundërshtim me ligjin, që personat e paditur në polici apo në institucionet e tjera përkatëse të vazhdojnë të luajnë duke thelluar kështu konfliktin e tyre familjar".

Dukuria e zhytjes së shumë shqiptarëve në lojëra fati ka sjellë edhe konflikte të thella familjare.

Janë të shumta rastet që raportohen përmes denoncimeve në polici dhe organet e tjera të drejtësisë dhe rendit hetojnë shpesh, rrethana të ngjarjeve, disa herë me përmasa tragjike, të përfshirjes së qytetarëve në borxhe për shkak të humbjes së parave në lojëra fati.

Edhe pse pjesa më e madhe e atyre që futen në kazinotë dhe lokalet e tjera të lojërave të fatit që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, janë të varfër deri në ekstrem, në përpjekje për të dalë nga skamja, shpresojnë që të gjejnë shpëtim tek këto lojëra fati.

Por dihet se probabiliteti për të fituar është në nivele minimale dhe vetë programimi i tyre nga pronarët është i atillë që pak "kokrra" të fitojnë nga paratë pafund që derdhin pjesa tjetër e atyre që "hanë" karremin e hidhur.

f.sh/NOA

KOMENTE