English

Askush nuk është më armik i Rrugës

"Tani rruga ka mbaruar dhe askush nuk është më armik i rrugës përveç atyre që kanë vjedhur paret e shqiptarëve për të ruajtur pushtetin e tyre"

Nga Mero Baze*

Tuneli i Kalimashit, i cili u kthye në simbol të fushatës elektorale të kryeministrit Berisha, po mban te mbërthyer opinionin publik me problemet e reja qe po prodhon. Mbyllja e tij është një veprim i arsyeshëm, por më e arsyeshme do të ishte mos-hapja e tij pa u mbaruar.

I hapur si një tunel elektoral, dhe për fat i përdorur disa muaj pa viktima, tuneli duhet domosdoshmërisht të mbyllej, jo vetëm për të normalizuar situatën inxhinierike në hapjen e krahut tjetër, por për të shpëtuar mbi të gjitha nga shembja krahun e hapur, i cili rrezikon të kthehet në gjendjen fillestare, nëse nuk veprohet me shpejtësi dhe kompetencë. Qeveria, përveç njoftimit rutinë për mbyllje të "Tunelit të Kombit", nuk ka dhënë shpjegime të tjera, nëse do të duhen shpenzime shtesë për problemet teknike që po shkaktohen në këtë pjesë të tunelit, dhe nëse janë rritur kostot nga hapja e tunelit elektoral.

Procesi gjyqësor i nisur ndaj Lulëzim Bashës për akuzën e së paku 220 milionë eurove të shpenzuara më tepër se kostoja normale e segmentit rrugor, u mbyll me procedurë gjyqësore, pa u gjykuar. Por tashmë prokuroria duhet të rinisë hetimet, jo për 200 milionë euro, por qoftë dhe për 60 milionë euro më tepër që mund të harxhohen nga hapja elektorale e tunelit, shkatërrimi i tij dhe proceset e reja ripërforcuese që do të duhen për shkak të hapjes elektorale të tunelit. Hetimi duhet të nisë doemos, pasi këtu jemi para një rasti të pastër flagrant të mashtrimit për shkak të detyrës dhe të mashtrimit elektoral. Kryeministri, Sali Berisha, duhet të hetohet për dëmin që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit duke hapur një tunel elektoral dhe duke bërë bypass-e për të devijuar rrugën e pambaruar, me qëllim që të shfrytëzonte një vepër publike për qëllime elektorale.

Jemi në rastin e duhur të një mashtruesi zyrtar, i cili ka përdorur paratë e shqiptarëve për mashtrim elektoral me dëm financiar që duhet të llogaritet. Rihapja e hetimeve tashmë për tunelin elektoral dhe shpenzimet e kota për bypass-et e krijuara për qëllime elektorale, janë një faturë që duhet të hetohet deri te qindarka e fundit, dhe për këtë tashmë duhet të rihapet dosja, duke shtuar krahas Lulëzim Bashës dhe emrat e pasardhësit të tij, Sokol Olldashit dhe kryeministrit, Sali Berisha.

Nuk di çfarë rasti tjetër duhet të gjejë kryeprokurorja, Ina Rama, se një shpërdorim kaq flagrant elektoral për të rihapur dosjen që "harroi" disa ditë pasi të digjte afatin e të dorëzuarit në gjykatë.

Hapja e një hetimi penal për dëmet e shkaktuara në buxhetin e shtetit, për punimet shtesë që janë bërë për nevoja elektorale pa qenë nevoja, është detyrë formale e prokurorisë. Hetimet në këtë rast janë shumë më të ndjeshme për qytetarët sesa milionat e hedhura në xhepat e s'dihet kujt prej Lulzim Bashës.

Nëse Nexhmije Hoxhën e kemi çuar në gjyq për kafe dhe Fatos Nanon për kavanoza reçeli të prishur, Sali Berisha duhet të shkojë para drejtësisë për miliona euro që shkuan dëm, vetëm që ai të mashtronte shqiptarët se hapi tunelin dhe rrugën Rrëshen-Kalimash.

Për qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës rruga është shumë e rëndësishme dhe ata nuk e kishin problem, nëse ajo do të përfundonte disa muaj më herët apo më vonë.

Për një shoqëri të lirë, e rëndësishme është që shteti të bëjë transparente mënyrën se si i harxhon paratë e qytetarëve.

Nëse në rastin konkret kemi një rast flagrant se si kryeministri dhe ministrat e tij kanë përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë për t'i mashtruar ata në një truk elektoral si në një film Hollivudi, atëherë drejtësia duhet të thotë fjalën e vet.

Për fat të mirë Sali Berisha ka deklaruar jo shumë larg se nuk i njeh vetes dhe as ministrave të tij imunitet për t'u hetuar, ndaj kryeprokurorja, Ina Rama, duhet të nisë urgjent hetimin për shpenzimet ekstra që po bëhen për shkak të mashtrimit elektoral në tunelin e Kalimashit dhe rrugën Rrëshen-Kalimash, dhe bashkë me këtë të rihapë dosjen e mbyllur nga presioni politik. Tani rruga ka mbaruar dhe askush nuk është më armik i rrugës përveç atyre që kanë vjedhur paret e shqiptarëve për të ruajtur pushtetin e tyre.

(*) Dërguar nga autori

Shënim i NOA: Shkrimet e rubrikës "OPINION" nuk paraqesin domosdoshmërish qëndrimin editorial të NOA

KOMENTE