English

Basha paralajmëron reformë në polici: Kemi barrën kryesore për vizat

Tiranë, 10 nëntor NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha u kërkoi drejtuesve të Policisë së Shtetit të përmirësojnë rezultatet e punës së tyre dhe të rrisin efektivitetin e forcës zbuluese, parandaluese dhe goditëse ndaj kriminalitetit.

Në një takim me drejtuesit e sapoemëruar të policisë në qarqe, Ministri Basha theksoi se arritja e parametrave të vendeve të BE në luftë kundër të gjitha veprimtarive kriminale dhe realizimi i detyrave të përcaktuara për Policinë e Shtetit në progres raportin për Shqipërinë, përbëjnë edhe detyrimet kryesore për përfitimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

"Barra kryesore për liberalizimin e vizave bie mbi Policinë e Shtetit. Suksesi i Policisë së Shtetit në përmbushjen e detyrimeve është përcaktuesi kryesor në premtimin më të madh të kësaj maxhorance, heqjen e vizave brenda vitit që vjen" deklaroi Ministri Basha.

Në të njëjtën kohë, Ministri Basha paralajmëroi vazhdimin e reformës, e cila siç tha ai ka për qëllim rritjen e efektivitetit të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar

Ministri Basha e cilësoi të patolerueshëm faktin se akte të shumta kriminale mbeten të pazbuluara, ndaj kërkoi që të ushtrohet kontroll i njëtrajtshëm në këtë drejtim në të gjithë qarqet e vendit dhe në çdo cep të territorit.

"Elementët kriminalë duhet të ndjejnë kudo presionin, forcën dhe goditjen e Policisë së Shtetit" theksoi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Ministri Basha i kushtoi një vend të veçantë në fjalën e tij problemeve të qarkullimit rrugor duke e konsideruar situatën e tanishme në këtë drejtim si të frikshme dhe kaotike, me shkelje të shumta që për më tepër edhe tolerohen nga punonjësit e policisë.

Ndërsa i cilësoi të papranueshme tolerimet në këtë drejtim dhe kërkoi që subjektivizmi të shkojë drejt zeros, Basha bëri të ditur se po përgatitet një masterplan masash me komponentët e duhur teknologjikë për të evidentuar të gjitha shkeljet e mundshme, si dhe paralajmëroi ndryshime të nevojshme në legjislacion.

k.k/NOA

KOMENTE