Shkodër, 10 nëntor NOA - Një atentat që ndodhi mesditën e sotme në mjediset e brendshme të një atelieje (rrobaqepësie), çoi në vdekjen e një 46-vjeçari kurse pak orë pas krimit, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ndodhi sot në orën 13.45, te lagjja "Skënderbeg" e qytetit verior, pikërisht në ambientet e brendshme të ateliesë private"Rubin", ku është plagosur me armë zjarri automatik, 46-vjeçari Bashkim Bajri.
I dëmtuari, lindur e banues në lagjen "Partizani", Shkodër, u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal, por si pasojë e dëmtimeve të marra, ka gjetur vdekjen.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore dhe grupi hetimor, të cilët thanë se pas veprime të para të kryera, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, Nilson Sokoli, 21 vjeç, lindur e banues në lagjen "Skënderbeg", ku edhe ndodhi atentati fatal.
Menjëherë pas identifikimit, shërbimet policore u vunë në ndjekje të të dyshuarit dhe si rezultat i një operacioni të posaçëm policor, u bë e mundur, rreth 40 minuta pas ngjarjes, kapja në flagrancë e të riut Nilson Sokoli.
Adoleshenti, u arrestua dhe iu vunë prangat, teksa tentonte të arratisej, në vendin e quajtur Kodrat e Bardhajve, në Shkodër.
Policia gjeti pranë banesës së të dyshuarit, armën e zjarrit tip automatik model 54, me të cilën tha se Nilson Sokoli ka kryer krimin.
"Nga veprimet hetimore të kryera, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit mes Nilson Sokolit, i cili punonte si roje në fabrikën e rrobave "Rubin", dhe viktimës Bashkim Bajri.
Pas ngjarjes, policia tha se me prangosjen e Nilson Sokolit, ndaj tij rëndojnë paraprakisht, akuzat për veprat penale "Vrasje me dashje" dhe "Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".
r.d/e.l/NOA
Â