English

Frika e Mero shpifësit

Nuk ka ndodhur ndonjëherë të rrihet dikush, dhe nëpër forume të shkruhet më shumë kundër të rrahurit. Kjo sepse i rrahuri është shpifësi më i madh në historinë e shtypit shqiptar. Mero provoi të rrihet dhe të mos e qajë njeri, për të mos thënë që u gëzuan pothuaj të gjithë

Editorial i "Koha Jonë"*

Simboli i shpifjes jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha krahinat shqiptare, dje kishte bërë një shkrim për frikën e tij, "Është fjala për frikën".

Mero shpifësi, këtë radhë në "Shekulli", se e tija e kishte pushim dje, përpiqej t'i jepte kurajë vetes dhe racës së vet (fatmirësisht të pakët në numër), se nuk duhet të kemi frikë. Nuk duhet të kemi frikë se ne na mbështet ambasadori amerikan. Nuk duhet të kemi frikë se mua dhe kolegët e mi na inkurajon Presidenti i Republikës. Të mos kemi frikë dhe se ai mbështet drejtësinë të na mbrojë ne, shkruante Mero.

Por Mero nuk kish shkruar për frikën fizike, por për frikën e braktisjes. Mero e di mirë se nuk të rreh kush kot. Mero dhe ne të gjithë e dimë se asnjë koleg i yni nuk është rrahur prej shumë vitesh për motive të profesionit. Rastet janë aq të rralla sa dhe vetë Mero nuk ka se çfarë të numërojë.

I vetmi rast i viteve të fundit është goditja e një gazetari nga një deputet i PS në hotel "Sheraton". Vetëm ai rast llogaritet si dhunim i një gazetari për shkak të një shkrimi nga një zyrtar. Por për këtë rast Merua nuk shkroi asnjë rresht. As 135 gazetarët që Merua u vuri emrat në një peticion, nuk u bene te gjalle.

Për gazetarin që u qëllua me grusht nga deputeti nuk bëri protestë as Unioni i përdorur i Gazetarëve që i lejoi vetes të bëhet fasadë e një proteste politike të organizuar kundër Qeverisë dhe jo pro Meros.

Them Union i përdorur, sepse organizimi i kësaj proteste, parullat e shkruara dhe këpucët e hedhura ishin ideja e Erion Velisë, bile edhe punëtorët e pastrim gjelbërimit për të mbajtur parullat, ishin siguruar nga Fuga.

Por kjo s'ka rëndësi. Është krejt normale që opozita t'i përdorë politikisht këto ngjarje. Por është amorale që gazetarët të kenë standard të dyfishtë. Kur Meron e rrahu Gjolekë Malaj, nuk e ngritën zërin, përjashto 3 apo 4 vetë prej nesh. As për gazetarin e goditur në "Sheraton" nuk thanë asnjë fjalë, madje disa media nuk e dhanë fare as si lajm. Mero bën thirrje për të mos u trembur, sepse ai u ndje shumë i vetmuar.

Ai e kuptoi se edhe ata që i dolën gjoja në mbrojtje, nuk donin të mbronin Meron, por dolën kundër Berishës. Edhe në emisionet televizive, askush nuk e mbronte dot Meron, por vetëm sulmonin Qeverinë.

Kjo sepse Meron nuk mund ta mbrosh dot, sepse Mero është simbol i shpifjes, por nuk duhej rrahur, sepse Mero ka bërë pis majtas e djathtas, sepse siç ka thënë dhe kolegu ynë Ylli Rakipi, Mero është një çorape gjobëvënës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë të rrihet dikush, dhe nëpër forume të shkruhet më shumë kundër të rrahurit.

Kjo sepse i rrahuri është shpifësi më i madh në historinë e shtypit shqiptar. Mero provoi të rrihet dhe të mos e qajë njeri, për të mos thënë që u gëzuan pothuaj të gjithë.

Mero i jep forcë vetes të mos ketë frikë se e mbron Ambasadori Amerikan dhe Presidenti i Republikës. Jo Mero, ata nuk mbrojnë shpifësin, ata dënojnë dhunën ndaj një qytetari, siç e dënuan edhe gazetarët dhe opozita, edhe Kryeministri.

Ty nuk të mbrojnë dot nga turpi dhe damka që i ke vënë vetes prej vitesh, si shpifësi më i pafytyrë, si gazetari më pa moral kudo ku jetojnë shqiptarë.

Ti vazhdo shpif, se shpifja jote tashmë s'ka asnjë vlerë. Taçi bëri gabim të madh që të bëri publicitet, ta nxori surratin nëpër ekrane padrejtësisht. Ti ishe harruar dhe falë Zotit ti tashmë nuk përbën më lajm. Ti bën lajm vetëm kur të rrahin. Zoti e dhëntë të mos të ta japin më këtë kënaqësi. Kjo është frika e Meros.

(*) Editoriali i sotëm i të përditshmes "Koha Jonë"

Shënim i NOA: Shkrimet e rubrikës "OPINION" nuk paraqesin domosdoshmërish qëndrimin editorial të NOA

KOMENTE