English

Gjykata e Gjirokastrës 6 vjet burg kreut të firmës së ndërtimit për pallatin e shembur

Gjirokastër, 10 nëntor, NOA - Gjykata e Gjirokastrës sot ka dhënë vendimet për të pandehurit kryesorë të çështjes së shembjes së një pallati në lagjen "11 Janari" të këtij qyteti në nëntor të vitit të kaluar, nga e cila humbën jetën tre persona.

Gjykatësit kanë komunikuar 6 vjet burg për Sotiraq Janorën, presidenti i firmës "ARTI" sh.p.k i cili ka qenë edhe i pandehuri kryesor i kësaj çështje.

Prokuroria në fakt kërkoi 21 vjet burg për Janorën, duke ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes si edhe shkatërrimit të pronës me dashje.

Gjykata ka dënuar 4 prej 7 të akuzuarve, mes të cilëve caktoi edhe 2 vjet e 6 muaj burg për Afërdita Papamihalin, ish-sekretare e KRRT-së, shoqëruar edhe me një gjobë prej 500 mijë lekësh.

Sikundër caktoi edhe 2 vjet burg për Gjergji Meçen, i cili ka qenë inxhinier zbatues pranë firmës "Arti" sh.p.k, ndërsa u lanë të lirë Petrit Maksuti, Leonard Mustafaraj dhe Alfred Mamani.

Ndër të tjera, gjykata bëri me dijeni se tre të dënuarve u hiqet licenca e ndërtimit për tre vjet.

Familjarët e viktimave të kësaj tragjedie nuk kanë qenë aspak dakord me vendimet e gjykatës, duke i konsideruar minimale, krahasuar me dëmet që pati një njerëz dhe materiale tragjedia e nëntorit të kaluar me shembje e pallatit të Gjirokastrës ku ata banonin.

n.e/NOA

KOMENTE