Tetovë, 10 nëntor, NOA - Në prag të festave të Nëntorit, në Tetovë pritet të bëhet promovimi mbarëshqiptar i vëllimit të parë të veprës "Maqedonia shqiptare", e cila është konceptuar të jetë një kundërpërgjigje me fakte e dokumente ndaj "Enciklopedisë maqedonase" të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase.
Në vëllimin e parë që përfshin tekste dhe dokumente origjinale shqip, anglisht dhe frëngjisht nga e kaluara historike e Maqedonisë shqiptare nga autorë antikë, albanologë, historianë dhe udhëpërshkrues të huaj të shekujve XVI-XIX.
Redaktori i këshillit redaktues të këtij libri, Nijazi Muhamedi ka theksuar se kjo vepër është një kundërpërgjigje e fuqishme kundër "Enciklopedisë Maqedonase".
Sipas tij, me këtë vëllim shkencor, ku janë përfshirë tekste dhe dokumente del qartë edhe definimi historik, etnografik dhe kultural e politik i Maqedonisë shqiptare, si një dimension i faktuar i njësisë historike, gjeografike dhe etnografike të saj në tërësinë e historisë së shqiptarëve si dhe autoktonia.
"Në këtë vëllim, me tekste të autoriteteve shkencore e historike të antikës, atyre të huaj dhe shqiptarë, për herë të parë pas shumë dekadash hapet çështja e rivalitetit shqiptaro-grek mbi përkatësinë e Lekës së Madh dhe mbi trashëgiminë historiko-kulturore të Maqedonisë së moçme, si një përgjigje ndaj stratagjemës antishqiptare të bisedimeve greko-maqedonase dhe tendencave të etnonacionalizmit maqedonas për të fshirë legjitimitetin historik shqiptar mbi emrin e Maqedonisë dhe të pranisë historike shqiptare në të", ka theksuar redaktori i këshillit redaktues, Nijazi Muhamedi.
Ai ka theksuar se ideja për nxjerrjen e këtij libri është përkrahur nga studjues dhe emra të njohur të shkencës shqiptare e ndërkombëtare. Në libër siç theksojnë autorët janë përfshirë edhe fakte historike nga historianët shqiptarë të kohërave të ndryshme, memorandumet shqiptare të Tetovës, Dibrës, Manastirit, Ohrit drejtuar Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Versajës si dhe shtypi i kohërave të ndryshme historike mbi çështjen e Maqedonisë. Ky vëllim me mbi 400 faqe është përgatitur nga publicisti Nijazi Muhamedi, në bashkëpunim me publicistë të tjera nga Maqedonia dhe Shqipëria, nën konsulencën e historianëve dr.Reshat Nexhipi dhe dr.Nebi Dervishi. Autorët kanë theksuar se libri do të ketë një fushatë të gjërë publiciteti dhe do ti dorëzohet edhe institucioneve ndërkombëtare, ambasadave dhe instituteve të ndryshme ndërkombëtare. NOA-INA
Â
Â
Â
Â