Bruksel, 10 Nëntor NOA-Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili po zhvillon një vizitë në Bruksel ka deklaruar sot gjatë takimit me raporterin e PE, Nikolaos Chountis, se qeveria është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë legjitime të opozitës, kjo në funksion të kushteve që Shqipëria duhet të përmbushë për t'u integruar në familjen evropiane.
Meta ka theksuar se ky bashkëpunim duhet realizuar pa ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pa cënuar pavarësinë e gjygjësorit, një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, ndërtimin e të cilit e kërkon edhe Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit, Meta e ka siguruar raporterin e parlamentit Evropian se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave me BE dhe do të forcojë bashkëpunimin me Parlamentin Evropian.
Z. Chountis vlerësoi objektivitetin dhe realizmin e përqasjes ndaj çështjeve të ndryshme prej z. Meta dhe shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
m.i/NOA