Lezhë, 10 nëntor, NOA - Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha ka ndërmarrë një inspektim në terren për vëzhgimin nga afër të pasojave dhe dëmtimeve të shumta që kanë shkaktuar përmbytjet e fundjavës në qarkun e Lezhës.
Gjatë këtij inspektimi, Basha identifikoi si situatë specifike problemin e krijuar me rreth 40 banesa në Shëngjin, Laç, Fushëkuqe etj të cilat kanë pësuar dëme në shkallë të ndryshme për shkak të përmbytjes.
"Kjo është situata më problematike që paraqitet për momentin jo vetëm në qarkun e Lezhës, por në shkallë vendi. Situata po monitorohet hap pas hapi. Për secilën prej banesave janë inventarizuar dëmet dhe ku ka pasur nevojë për ndihmë të menjëhershme, menjëherë është dhënë ndihma e duhur nga strukturat e emergjencave civile dhe nga pushteti vendor", theksoi Basha lidhur me një fakt të tillë.
Më pas, mësohet se ai ka inspektuar nga afër edhe hidrovorin në Tale, si dhe funksionimin e kanaleve kullues.
Ndër të tjera, ministri Basha u bëri një thirrje të veçantë të gjitha strukturave në nivel qarku dhe drejtuesve të pushtetit vendor që të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet për përballimin e çdo situate emergjente. n.e/NOA