Tiranë, 10 nëntor NOA - Finalizohet operacioni "Kapshtica", arrestohen 3 persona për dhënie ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Kreshnik Dunga, 32 vjeç, Bilal Aliaj, 31 vjeç dhe Bashkim Brahimi, 22 vjeç, që të tre, banues në Kamëz, u arrestuan mbrëmjen e sotme (e Martë), nga specialistët e seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë e Policisë Tiranë.
Ndaj tyre, Gjykata e Rrethit Tiranë me vendim të datës 05 nëntor 2009, ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" në mungesë, pasi akuzohen për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalimit të paligjshëm të kufirit".
Këta persona dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin për qëllime përfitimi, realizonin grumbullimin në Tiranë, të personave që kërkojnë të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme për në drejtim të shtetit grek.
Tre të rinjtë dyshohen se më 23 shtator 2009 në afërsi të sheshit "Rilindja" në Tiranë i kanë dhënë ndihmë për të kaluar kufirin 7 personave kundrejt përfitimit monetar, i cili varionte nga 800 deri në 1500 euro për çdo person, duke i transportuar me automjete këto të fundit, nga Tirana për në drejtim të qytetit të Korçës, me destinacion Greqinë.
Policia tha se është dokumentuar tërësisht me metoda speciale të hetimit, se më 30 shtator 2009, të tre shtetasit e sipërcituar kanë ndihmuar rreth 30 persona që të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, nga fshati Bitinckë të rrethit Devoll me destinacion më pas Greqinë.
Po ashtu, dyshohet se më 7 tetor 2009, në afërsi të sheshit "Rilindja" në Tiranë, pasi kanë grumbulluar afro 30 shtetas në një automjet taksi tip furgon, janë nisur për në drejtim të qytetit të Korçës me destinacion më pas shtetin Helen.
Policia saktësoi se po punon intensivisht në drejtim të identifikimit të të tjerë personave të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
f.sh/NOA