Lubjanë, 10 Nëntor NOA - Në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, u mbajt këto ditë konferenca "Rehabilitimi i Trashëgimisë sonë të Përbashkët".
Ajo ishte organizuar nga Ministria e Kulturës së Sllovenisë dhe Ministria e Jashtme Sllovene, nën kujdesin e Këshillit të Europës.
Në këtë konferencë, si përfaqësuese e MTKRS shqiptare, mori pjesë zv/ministrja Suzana Turku.
Në këtë takim ministror, ministrat dhe zv/ministrat paraqitën projektet e rëndësishme të procesit të Lubjanës, të konsoliduar tashmë në Evropën Juglindore.
Ky proces ka filluar që në vitin 2003 me synimi hartimin dhe zbatimin e projekteve të rehabilitimit të qendrave historike të Europës Juglindore.
Në fjalën e saj, Turku, theksoi faktin se bashkëpunimi i frytshëm me Këshillin e Europës si dhe me Delegacionin Europian, ka bërë të mundur realizimin e dy projekteve të konsoliduara në Shqipëri si: projekt-menaxhimi i Pazarit i Korçës dhe i Muzeut të Apollonisë.
Gjithashtu Zv.ministrja nënvizoi rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila me anë të kërkimit të vazhdueshëm dhe këmbëngulës për financime shtesë, nga Qeveria shqiptare, ka arritur tashmë rezultate konkrete me investime në fushën e trashëgimisë, drejt vendeve me rëndësi për turizmin kulturor, të tilla si kështjellat, fortifikime, site arkeologjike etj.
Në këtë konferencë, më shumë se 170 pjesëmarrës miratuan "Deklaratën e përbashkët të Lubjanës për trashëgiminë kulturore: Nga bashkëveprimi drejt një zhvillimi socio-ekonomik të qëndrueshëm".
Në takim rëndësi të veçantë për shtetin shqiptar kishte miratimi i deklaratës ministrore për rehabilitimin trashëgimisë kulturore të përfituesve të Europës Juglindore dhe për zbatimin e fazës tjetër të procesit të Lubjanës.
Duke miratuar deklaratën, përfaqësuesit e shtetit në nivel ministrash dhe zv/ministrash, konfirmuan përgjegjësinë e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore europiane.
Partnerët miratuan vazhdimin e procesit të Lubjanës, si dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar, dhe për të marrë vendime që do të mundësojnë më tej ecurinë e procesit deri në vitin 2011.
Konferenca e Lubjanës e zhvilluar në datë 6-7 nëntor, përfundoi duke theksuar dhe njëherë faktin se, mbështetur në rezultatet e arritura deri më sot, bashkëpunimi me Këshillin e Europës si dhe me Delegacionin Europian, në kuadër të procesit të Lubjanës, do të forcohet më tej në të ardhmen, me synimin që trashëgimia e përbashkët Europiane të gëzojë vëmendjen e duhur dhe të mbrohet e promovohet dhe nga brezat që do të vijnë.
a.k/e.l/NOA