English

Edi Rama tek ish-Fusha e Aviacionit: Po mbajmë premtimet e Berishës

Tiranë, 11 Nëntor NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama tha sot se po nis mbajtja e premtimit të bllokuar gjatë nga qeveria e Berishës.

Deklarimin, Rama e bëri sot ndërsa ka inspektuar punimet që po kryhen për rikualifikimin urban të Parkut tek ish -Pista e Aviacionit.

Duke iu referuar punës për kthimin e kësaj zone në një park të shumëkërkuar nga banorët, rrjedhojë edhe e dëgjesave publike të zhvilluara me ta, Rama përmendi se katër vjet më parë Ministri i Punëve të Brendshme të familjes Berisha e premtoi këtë park si deputet i kësaj zone.

Kurse theksoi se "ai e harro premtimin, sepse u përqendrua në grabitjen e rrugës së Kombit, ndërkohë që premtimi ynë u pengua më shumë se një vit nga bllokimi i Këshillit Bashkiak".

"Sot jemi këtu, - vijoi Rama, - për ta bërë realitet këtë premtim, për t'u dhënë banorëve të kësaj zone parkun e shumëkërkuar dhe të shumënevojshëm.

Kurse konsideroi se kjo po ndodh, "kur Tirana dhe gjithë Shqipëria janë marrë peng nga ky pushtet i cili po rrënon shtetin e së drejtës dhe ekonominë shqiptare, megjithatë ne nuk do të ndalemi në punën tonë për të realizuar ëndrrën e Tiranës Evropiane dhe as në betejën tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga zullumi ku po e zhyt përditë pazarllëku i përditshëm, për interesat e familjes Berisha, në dëm të të gjitha familjeve shqiptare".

***Â

Ndërhyrja transformuese do të shtrihet në një hapësirë urbane që përkon me Pistën e Aviacionit, me përmasa 50 metra e gjerë dhe 1 km e gjatë.

Projekti imiton strukturën e një dorëshkrimi dhe përmban shtrime dyshemesh, bimësi të ulët dhe bimësi të lartë.

Projekti për parkun në ish-Pista e Aviacionit konsiston në krijimin e një hapësire urbane, një parku tematik i cili ka për qëllim të mos fragmentojë më tepër hapësirën ekzistuese, përkundrazi ai synon të unifikojë dhe të lidhë më tepër segmentet urbane (të ish-Pistës së Aviacionit), hapësirat ekzistuese mes tyre, si edhe me ato hapësira të cilat do të zhvillohen në të ardhmen.

Në pjesën jugore të segmentit të fushës së ish-Aviacionit parashikohen hapësira për mirëmbajtjen e parkut, edhe përmes iniciativave private.

Në brendësi të zonës do të ketë mini-hapësira për aktivitete sportive dhe rekreacion; fitness, basketboll, volejboll, pista vrapimi dhe kënde lojërash për fëmijë.

Gjelbërimi mbush në mënyrë të natyrshme xhepat që krijohen nga ndërtesat përgjatë segmentit urban. Llojet e pemëve të cilat janë përdorur në kontekstin urban të lartpërmendur, janë përzgjedhur në bazë të aspektit estetik, peisazhist dhe funksional.

Realizimi i këtij projekti është një investim nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, me vlerë 289.899.616 lekë, ndërkohë që siç është shprehur edhe Kryebashkiaku Rama, në miratimin e projektit teknik, në KRRT, kjo zonë do jetë "një njollë e gjelbër në hartën e Tiranës, prej rreth 1 km e gjatë, që është një bulevard i ri i gjelbër për kryeqytetin".

f.sh/NOA

KOMENTE