Tiranë, 11 Nëntor NOA - Universiteti Europian i Tiranës organizoi sot në mjediset e tij promovimin e Veprës së Plotë të shkrimtarit Ismail Kadare, në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Onufri".
Në këtë eveniment të veçantë mori pjesë dhe vetë shkrimtari Ismail Kadare, i cili duke cilësuar të veçantë këtë rast, Kadare u shpreh se rrallë ka marrë pjesë në promovimet e librave të tij.
Kadare iu përgjigj interesimit të gazetarëve për veprën e tij të fundit "Pengesa". Ai ka shpjeguar se kjo vepër u kushtohet vajzave shqiptare.
"Jam i prekur nga dhimbjet e vajzave shqiptare. Ato kanë përballuar një pjesë të brengës së vendit tim. Internimi ka qenë një moment i kësaj brenge të thellë. Libri "Pengesa" trajton pikërisht këtë çështje", tha Kadare.
Ndërsa ka vlerësuar lexuesin shqiptar: "Me të ka lindur vepra ime, ndaj ai është gjithmonë i veçantë".
I pranishëm në këtë aktivitet, botuesi i veprave të Kadaresë dhe drejtuesi i "ONUFRI", Bujar Hudhri u shpreh se ndihej i nderuar për organizimin e këtij eventi nga UET-i duke e konsideruar një festë të rëndësishme promovimin e veprës së plotë.
"Shumë breza janë rritur dhe do të rriten me emrin dhe librat e Ismail Kadaresë, sepse është në fakt një emër i madh që i bën nder shqiptarëve", tha Henri Çili, administratori i UET-së në ceremoninë që u zhvillua me këtë rast.
Kurse kritiku Mark Marku theksoi se kurrë gjuha shqipe nuk ka qenë kaq e çmuar sa tek vepra e Ismail Kadaresë.
"Ai është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore. Është klasik i gjallë i letërsisë europiane dhe asaj botërore", - deklaroi deputeti Marku.
a.k/f.sh/NOA