English

MASH pranon marrëveshjen, dalin nga ngujimi studentët e Kamzës

Tiranë, 11 Nëntor NOA - Ministria e Arsimit dhe Shkencës informoi zyrtarisht mbrëmjen e sotme, studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës se një projektvendim i dërguar prej dikasterit, është pranuar sot nga Këshilli i Ministrave.

Mësohet se qeveria i ka dhënë "Ok", propozimit të MASH për të bërë shtimin kuotave për master, kërkesë që mbante prej disa ditësh në grevë urie, disa studentë të Kamzës.

"Pas negociatave të zhvilluara, u arrit në vendimin e rritjes së kuotave për Diplomë të Nivelit të Dytë. Vendimi konsiston në rritjen e numrit të vendeve të studimit për DND", - i tha zyrtarisht agjencisë NOA, një burim zyrtar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Mësohet se titullari Myqerem Tafaj, i ka dërguar projektvendimin Këshillit të Ministrave, për ta kaluar në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Por mbledhja e planifikuar të mbahej sot, është shtyrë pasi as kryeministri Berisha dhe as zëvendëskryeministri Meta nuk ndodheshin në Tiranë, megjithatë është lënë që ky vendim të kalojë pa pengesa në mbledhjen që u shty për të Premten paradite.

"Në këtë mënyrë studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit të UBT mund të fillojnë të regjistrohen për studimet e Nivelit të Dytë (DND), deri në datën 16 nëntor ora 16.00", informoi MASH.

Ky vendim, ka bërë që të 15 studentët e futur në ngujim, mbrëmjen e sotme të dalin nga mjediset që ju shihni dhe në foto.

Një zëdhënës i grevës, tha se "ngujimi ka përfunduar pasi këshilltarja e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, njoftoi se kërkesa jonë për masterat është plotësuar".

e.r/NOA

KOMENTE