English

Përpjekjet e ekzekutivit për të kontrolluar sistemin gjyqësor

"Në kushtet e vakuumit ligjor gjatë një viti, qeveria nuk ndërmori asnjë masë për ta amenduar atë në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe pse e ka pasur konsensusin e opozitës në Kuvend. Shkaku ishte se qeveria nuk e kishte të sigurt para zgjedhjeve nëse Konferenca gjyqësore i bindjes pushtetit apo jo"

Nga Mero Baze*

Debati më i fundit publik mbi zëvendësimin e vendeve bosh në KLD, duke mbledhur Konferencën gjyqësore në mungesë të një ligji, tregon përpjekjen e shumicës në pushtet për të marr me çdo çmim kontrollin mbi KLD, të cilën e konsideron hallkën e fundit jashtë kontrollit të saj.

Problemi është i thjeshtë. Katër anëtarëve të Këshillit të Lart të Drejtësisë u ka kaluar afati kohor i zgjedhjes, dhe sipas ligjit duhet që Konferenca gjyqësore t'i zëvendësojë.

Ligji i Konferencës Gjyqësore mbi të cilin ata janë zgjedhur ndërkohë ka një vit që është bllokuar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.

Në kushtet e vakuumit ligjor gjatë një viti, qeveria nuk ndërmori asnjë masë për ta amenduar atë në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe pse e ka pasur konsensusin e opozitës në Kuvend. Shkaku ishte se qeveria nuk e kishte të sigurt para zgjedhjeve nëse Konferenca gjyqësore i bindjes pushtetit apo jo.

Pas zgjedhjeve, kur arrogance e pushtetit duket më e madhe shumica shpjego se një mbledhje antikushtetuese e Konferencës gjyqësore mund të favorizojë kandidatët e saj. Por në rastin më të keq për të, edhe nëse nuk i favorizon kandidatë e saj ajo ka të drejt të thotë që zgjedhja nuk quhet pasi Kushtetuesja e ka hedhur poshtë ligjin.

Pra e gjithë kjo zhurmë, është thjeshtë një përpjekje për të kapur një hallk të pushtetit të drejtësisë që është KLD.

Nëse ja arrin qeveria e quan fitore, nëse jo e quan antikushtetuese, ashtu siç në fakt dhe është. Kjo përpjekje e bën dhe më të keq imazhin e qeverisë shqiptare e cila është kritikuar ashpër nga Progres Raporti i BE për përpjekjen e saj konstante për kapjen e pushtetit gjyqësor.

Ajo që Perëndimi kërkon nga qeveria shqiptare, është që të demonstroj se është për një koncept të qartë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ofrojë planin e saj për të ardhmen e sistemit të drejtësisë.

Qeveria deri më sot nuk ka paraqitur asnjë një strategji mbi formën përfundimtare të sistemit gjyqësor në vend.

Qeveria shqiptare ka shmangur me vetëdije hartimin e një strategjie me konsensus për reformat në drejtësi, me qëllim që të avancoj drejt kapjes së sistemit pjesë.

Kështu pavarësisht ligjeve të mira apo të këqija që janë bërë në lidhje me reformat në drejtësi, ato nuk janë në sinkron me një objektiv përfundimtar.

Ajo që tani është problem në drejtësinë shqiptare është se çdo ligj i ofruar për t'u miratuar është një tentativë për të kapur sistemin prej shumicës dhe jo pjesë e një objektivi përfundimtar të miratuar me konsensus nga të dy palët.

Pikërisht për këtë shkak kriza nuk ka të bëj vetëm me mungesën e opozitës në Kuvend, por me mungesën e një vizioni të përbashkët për drejtësinë, për ta shkëputur atë më tej nga ndikimi politik dhe beteja e vazhdueshme për ta vendosur atë nën kontroll.

Përpjekja për të kapur me radhë shkallët e sistemit të drejtësisë, herë me ligjin për Konferencën gjyqësore, herë me ligjin për administratën e sistemit gjyqësor, herë me propozime skandaloze siç është ky i fundit për të zëvendësuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese me një rregullore, tregojnë qartë se e vetmja strategji që ka qeveria shqiptare është kapja e sistemit dhe jo ndërtimi i një drejtësie të pavarur.

Kjo tendencë shumë negative e qeverisë, mund t'i kushtojë rënd qytetarëve shqiptarë, të cilët presin që Shqipëria të plotësoj kushtet që Brukseli i ka vënë për liberalizimin e vizave, ku reformat ne drejtësi dhe heqja dorë nga kontrolli mbi gjyqësorin janë ndër pikat më të rëndësishme.

(*) Dërguar nga autori

Shënim i NOA: Shkrimet e rubrikës "OPINION" nuk paraqesin domosdoshmërish qëndrimin editorial të NOA

KOMENTE